Ne rrjet

Lufta në Ukrainë dhe perspektiva e bisedimeve për paqe

Nga Gazeta 'Si'-Nëntëmbëdhjetë muaj pas një lufte, të cilën shumë analistë, menduan se do të përfundonte brenda disa javësh, ka tashmë një konsensus se ai do të jetë një konflikt i gjatë dhe i egër. Edhe të dyja palët duken të pozicionuara si duhet për një kohëzgjatje të tillë. Gjithsesi, a ka mbetur ende ndonjë perspektivë reale për një proces paqeje?

Një nga narrativat që po përhapet akoma nga Rusia, është se në një moment Perëndimi do të lodhet me Ukrainën, dhe se gjithçka që duhet të bëjë Moska është të presë. Kjo pikëpamje, po ushqehet aktualisht edhe nga ngjarjet në Kongresin Amerikan, ku përçarjet brenda Partisë Republikane po vonojnë miratimin e paketës së fundit të madhe të mbështetjes financiare për Ukrainën.

Por pavarësisht nëse kjo paketë do të miratohet gjatë muajve të ardhshëm, dominon pikëpamja se një fitore e Donald Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të sjellë një rënie drastike të mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, për t’ia dorëzuar më pas Ukrainën në një ‘pjatë’ Vladimir Putinit.

Pra, Rusia duhet vetëm të rezistojë dhe të zgjasë luftën edhe për një vit apo më shumë, dhe më pas do të sigurojë në mënyrë të pashmangshme fitoren mbi Ukrainën. Sanksionet perëndimore po e dëmtojnë, por ekonomia ruse po shfaqet e qëndrueshme, dhe duke kaluar në mënyrë progresive në një ekonomi lufte, ‘armëve’ po u jepet përparësi ndaj ‘gjalpit’.

Përmes kësaj strategjie Rusia mund t’ia kalojë Perëndimit. Kjo është të paktën narrativa ku bazohet Kremlini, megjithëse unë nuk e besoj atë. Dhe sipas këtij këndvështrim, pse Rusia do të dojë të ulet dhe të bisedojë për paqen pikërisht tani? Problemi është se edhe nëse ndalet mbështetja e SHBA-së për Ukrainën pas një fitoreje të Trump, Rusisë do t’i duhej ende të luftojë për të arritur fitoren e saj ndaj Ukrainës.

Dhe ukrainasit do të ndalen së luftuari menjëherë pas ndërprerjes së ndihmës. Në fakt, në javët e para të para të luftës, ata u treguan të aftë të ndalnin përparimin ushtarak rus edhe duke pasur burime shumë të kufizuara. Ndërkohë tani ata kanë shumë më tepër municione të teknologjisë më të lartë, dhe ngjan e vështirë që tanket ruse të jenë në gjendje të hyjnë shpejt në Kiev.

Ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë pasi nuk kanë zgjidhje tjetër, askund tjetër për të shkuar, pasi ai është vendi i tyre. Dhe mendoj se do të duheshin muaj, ndoshta shumë vite luftime të ashpra që Rusia të shtypë rezistencën ukrainase. Për më tepër, edhe nëse do të binte mbështetja e SHBA-së, ka të ngjarë të vazhdojë mbështetja evropiane.

Sepse shumë shtete në Evropë, e kuptojnë tanimë shumë qartë kërcënimin ushtarak nga Rusia, dhe vija e frontit në Ukrainë është ende shansi i tyre më i mirë për të ndalur përparimin e mëtejshëm të ushtrisë ruse në Evropë. Në këto kushte, a ka vërtet Rusia burime të mjaftueshme për të mbajtur një luftë me Ukrainën jo për 1 vit, por për shumë vite në vijim?

Unë besoj se jo. Pra, në realitet nuk ka asnjë fitore të lehtë për Rusinë, por vetëm një perspektivë të një lufte shumëvjeçare, më shumë humbje në njerëz dhe para, dhe me më shumë rreziqe në frontin social dhe politik brenda vetë Rusisë. Sa më gjatë të vazhdojë lufta në Ukrainë, aq më i madh është rreziku i një rebelimi tjetër si i ai Wagner në qershor.

A është ky një rrezik me të cilin Kremlini dëshiron vërtet të përballet? Unë dyshoj se jo. Nga ana tjetër sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë do të bjerë fuqia ekonomike e Rusisë për shkak të sanksioneve, dhe aq më shumë do të zbehet imazhi i saj ndërkombëtar.

Në parim, fuqitë globale supozohet t’i fitojnë luftërat me fuqitë më të vogla, por ato nuk përfshihen në luftëra që nuk mund t’i fitojnë. Përvoja e fundit e SHBA në Irak dhe Afganistan, tregon se kjo është një rrugë drejt rënies së pashmangshme. Nga ana tjetër, sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë gërryhet imazhi i Rusisë si një fuqi ushtarake.

Kjo rënie do të ndodhë në të gjitha vendet përreth kufijve të saj. Për këtë mjafton të shihet ndikimi në rënie i Rusisë në Azinë Qendrore dhe Transkaukazi. Paaftësia e Rusisë për të ndalur fitoret e fundit të Azerbajxhanit në Nagorno Karabak ndaj Armenisë, dhe ri-orientimi i Armenisë drejt Perëndimit, tregoi qartazi rreziqet që i kanosen Rusisë nga një luftë e tejzgjatur në Ukrainë.

Sulmet e fundit, e kanë detyruar Rusisë të zhvendosë asetet e saj detare në Lindje në Novorossiysk, duke e bërë Sebastopolin pothuajse të pavlefshëm si një aset ushtarak. Zgjatja e luftës për Rusinë, rrezikon të sjellë akoma më shumë sulme ndaj Krimesë, duke e dobësuar më tej pozicionin dhe forcën strategjike të Rusisë në Detin e Zi.

Përparimet e fundit ushtarake të Ukrainës, po e rrisin rrezikun që kundërofensiva të çajë linjat mbrojtëse ruse. Prandaj bisedimet e paqes, nuk mund të jenë të padëshiruara për Rusinë. Natyrisht gjithçka varet nga kushtet, por mund të jenë interesante bisedimet për të ardhmen afatgjatë të Krimesë, rajoneve në Donetsk dhe Luhansk.

Ndërkaq, është plotësisht e kuptueshme që ukrainasit duan ta fitojnë luftën, të sigurojnë çlirimin e gjithë territorit kombëtar, dhe të sigurojnë një paqe dhe zgjidhje të drejtë, përfshirë dëmshpërblimet nga Rusia. Sondazhet tregojnë ende mbështetje të fortë për luftën, dhe mbi 80 për qind e ukrainasve mendojnë se lufta është ende e fitueshme.

Por nëse ajo hyn në një fazë tjetër, pra në një luftë më të gjatë rrënuese, a janë ukrainasit ende të gatshëm të marrin përsipër koston? Dhe a ndryshojnë llogaritë rreziqet rreth mbështetjes financiare të SHBA-së apo Perëndimit në përgjithësi? Pa këtë mbështetje, apo me një mbështetje shumë të reduktuar, është e sigurt se çmimi do të jetë një numër edhe më i lartë i viktimave për Ukrainën.

Atëherë si do të ndikojë kjo tek gatishmëria për të nisur negociatat dhe për të vazhduar luftën? Në këtë rast është ende e rëndësishme rrjedha dhe ritmi i kundërsulmit që nisi në verë. Deklaratat e fundit nga zyrtarët ushtarakë ukrainas i kanë minimizuar perspektivat, duke e përgatitur ndoshta popullatën dhe aleatët për bisedimet e paqes.

Dhe në fakt pas 1 gati dekade pushtimi rus të Krimesë, dhe afro një dekade pushtimi të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, çdo kundërsulm ushtarak për t’ia rikthyer që të treja Kievit, ka të ngjarë të jetë e gjatë dhe shumë e përgjakshme. Pozicionet ruse janë shumë të fortifikuara, dhe popullatat lokale i janë nënshtruar prej vitesh fushatave pro-ruse të ‘shpëlarjes së trurit’.

Por a mund të pranojë Ukraina bisedimet, kur Rusia të kthehet në vijën e frontit të para 23 shkurtit 2022, dhe të mbajë negociata afatgjata për të ardhmen e Krimesë, Donestkut dhe Luhanskut? Mendoj se po, pasi çdo marrëveshje e tillë nuk do të do nënkuptonte apriori humbje të të trejave, por bisedime afatgjata për të ardhmen e tyre.

Disa analistë do të argumentonin në çdo rast se kthimi i hershëm i Krimesë, Donestkut dhe Luhanskut nën kontrollin e Ukrainës, do të ishte si një “Kalë Troje”, pasi integrimi i 6-7 milionë popullsive atje në procesin politik të Ukrainës pas vitesh indoktrinomi, do të ishte shumë sfidues, sidomos për shkak të kostove të mëdha të rindërtimit të këtyre rajoneve.

Siç u bë e qartë edhe në takimin e fundit midis tyre, Joe Biden dhe Xi, duan rreziqe më të ulëta gjeopolitike globale, çmime më të ulëta të naftës dhe mallrave. Ndaj ata kanë ndoshta kanë një interes të përbashkët për t’i dhënë sa më shpejt fund luftës në Ukrainë.

Paqja do të pritej mirë edhe në Evropë, sepse konflikti e ka vendosur shumë nën presion ekonominë, politikën, sektorin energjetik dhe kompleksit industrial ushtarak në kontinentin e vjetër. Prandaj teksa po i afrohemi fundit të vitit 2023, dhe pas samitit Biden-Xi, mendoj se mund të shohim iniciativa të reja paqeje rreth Luftës në Ukrainë.

Nismën mund ta marrin Kina, Turqia apo edhe Arabia Saudite. Të shohim se çfarë do të ndodhë javët e ardhshme.

Marrë me shkurtime nga Kyiv Post/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë