Drejtësia

Lufta kundër krimit të organizuar, memorandum mes SPAK-ut dhe NCA-së britanike

Gazeta Si- SPAK ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), Z. Graeme Biggar, të Mbretërisë së Bashkuar.

Memorandumi i firmosur nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, shënon një tjetër hap të rëndësishëm të SPAK, drejt forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda dhe jashtë vendit. 

Akti i sotëm është gjithashtu një moment historik për të dy institucionet, pasi është marrëveshja e parë që NCA nënshkruan më një strukturë hetimore në Shqipëri, siç është SPAK.

Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është të institucionalizojë partneritetin e suksesshëm tashmë të vendosur midis SPAK dhe NCA, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik.

Ky bashkëpunim thellohet dhe bëhet më i qëndrueshëm përmes këtij memorandumi, i cili do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale.

Ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën besimin e tyre të thellë, se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.

Forcimi i marrëdhënieve të SPAK me NCA në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Bashkimi Evropian.

Në mbyllje, të dy palët, shprehën gatishmërinë e hedhjes së menjëhershme të hapave konkret në hetimin e çështjeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit, duke përfshirë këtu  edhe në aspekte të tjera që lidhen me strategjitë më të avancuara të hetimit financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë