Nga Gazeta Si- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme së Mbretërisë së Spanjës, Z. Alvaro Garcia Ortiz.
Ky memorandum, shënon një tjetër hap drejt forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, brenda dhe jashtë vendit.
“Qëllimi i këtij Memorandum Mirëkuptimi është të konsolidojë dhe të forcojë marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit brenda kompetencës së secilit Institucion Nënshkrues”, thuhet nw njoftimin e SPAK.
Ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre, por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e dy institucioneve shprehën besimin e tyre se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e veprimtarive të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Spanjës dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e migrantëve, trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, krimin kibernetik, dhe lloje të tjera krimesh të rënda, që përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë.
Në mbyllje, të dy palët, shprehën gatishmërinë e hedhjes së menjëhershme të hapave konkret në hetimin e çështjeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.