Motosport

Lufta e Formula 1 me FIA-n, shkaqet e përplasjes! Skuadrat po mendojnë për autonomi

Gazeta Si – Hetimi për çiftin Volf, që Federata e ka stopuar menjëherë pas reagimit të skuderive, është ajo që tregon se beteja mes palëve ka arsye të tjera.

Toto dhe Susi Volf nuk do të hetohen, FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), ka bërë prapaktheu pas reagimit të ashpër të skuadrave të Formula 1. Gjithçka në rregull? Jo aspak. Në terren mbeten shenjat e një konflikti, që rrezikon të shpërthejë nga momenti në moment.

Çfarë ka vërtet pas këtij konflikti? Përplasja nuk ka të bëjë me dhënien e informacionit të rezervuar, apo konfliktin e interesit. Ka diçka shumë më të madhe.

Prej kohësh presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, e ka në shënjestër Toto Volf, drejtuesin kryesor të Mercedesit. Hetimi i hapur dy ditë më parë ndaj menaxherit austriak dhe bashkëshortes së tij Susi, drejtuese e ‘F1 Academy’ (e krijuar për pilotet femra) është përplasja e fundit e një serie të gjatë.

Në fillim të sezonit, Sulajem kishte hedhur hipotezën për një skualifikim të Ljuis Hemilton, nëse nuk do të hiqte unazat dhe vathët. Një hipotezë që ra poshtë pas disa garash dhe jo pa polemika. Pastaj kishte mbështetur çështjen e hyrjes në Botëror të skuadrës Andreti, duke e ditur mirë që Volf ishte kundër shtimit të skuadrave.

Dhe në fund, para garës së Abu Dhabit, Sulajem kërcënoi me masa ndëshkuese ndaj Toto Volf dhe Fred Vaseur, drejtuesi i Ferrarit, pasi kishin përdorur fjalë për pahijshme në konferencë shtypi.

Pretekse. Po pse sulmohet Toto Volf? Sepse është simboli i atyre që mbështesin F.1 e drejtuar nga Stefano Domenikali, me të cilin Sulajem ka një konflikt që e shoqëron prej kohësh dhe që rrezikon të marrë përmasa të mëdha. Janarin e kaluar presidenti i FIA-s, duke folur për një ofertë arabe që e vlerësonte F.1 20 miliardë dollarë, e konsideronte shifrën të fryrë.

Tri ditë më parë Ben Sulajem u rishfaq, ndoshta i shtyrë nga dikush, duke shpresuar që hapja e një hetimi ndaj çiftit Volf do t’i gjente skuadrat të ndara. Dhe që kjo gjë do të krijonte një ndarje mes skuderive dhe ‘Liberty’, që administron pjesën komerciale të garave, në mënyrë që të dobësonte pjesën kundër e të kishte më shumë forcë kontraktuale në diskutimet e rinovimit të paktit të ri, që do të jetë në fuqi deri në 2026-ën.

FIA synon të arrijë një akord me më shumë të ardhura dhe me më shumë influencë në lidhje me atë që ndodh në F.1. Por skuadrat reaguan në mënyrë kompakte, duke u solidarizuar me çiftin Volf dhe duke i konsideruar të pabazuara akuzat. Një qëndrim i qartë se në cilën anë janë në sfidën mes dy drejtuesve të lartë.

Qëndrimi i skuadrave e ka lënë Ben Sulajem të izoluar. Nëse ai mendonte se dikush, ndoshta për rivalitetin në pistë, do të kalonte në anën e tij, ka gabuar gjithçka.

Kapitulli më i rëndësishëm dhe delikat ka të bëjë me pasojat që lëvizja e fundit e Sulajem ka krijuar në lidhje me raportin e ardhshëm mes FIA-s, ‘Liberty’ dhe skuadrave. Nëse raporti do të përkeqësohet, F.1 është gati që nga 2026-a ta braktisë FIA-n për të pasur autonomi, për një drejtim të pavarur. Për t’i dhënë Botërorit një emër të ri nuk do të ishte problem. Mundësitë janë më të mëdha nga sa mund të mendohet. Nëse tensioni me Ben Sulajem vazhdon, lëvizja e brendshme është e pashmangshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë