Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i grupit, Petrit Vasili, në një deklaratë për shtyp akuzon edhe njëherë qeverinë për situatën në të cilën ndodhet vendi.
Në fjalën e tij, ai tha se kryeministri Rama është i vetmi fajtor që çdo ditë vijojnë krimet e njëpasnjëshme. Për pasojë shumica e të rinjve duan të braktisin vendin.
“Qeveria dhe kryeministri janë ideatorët dhe fajtorët e vetëm të një situate kaq të rëndë. Shqipëria përballet me një situatë nga më të rëndat të krimit, Shkodra po përballet për ditë me krime njëri më i rëndë se tjetri, një shtet që i ka duart e lidhura, dhe e ka të pamundur të veproj, se ka qenë njësh me kriminelët. Janë po ata që diktojnë në komisariate. Pushteti është i trembur, i frikësuar pasi është bashkëfajtor. Kjo situatë kriminale ka sjellë rrënim ekonomik të pandalshëm. Mijëra shqiptarë duan të lënë vendin. Mbi 70% e shqiptarëve hedhin lotarinë amerikane,” tha Vasili.
Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli moton për këtë sesion të ri politik: “Tolerancë zero ndaj hajdutërisë që ka pushtuar vendin. Është e qartë që kultura e pandëshkueshmërisë është realitet që po përdoret poshtërsisht nga qeveria, pasi reforma në drejtësi, e kapur, ka bërë që mos të veprojë, mos identifikojë asgjë në tribunalet që zhvillohen”, tha më tej Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.