Politike

LSI: Rritja ekonomike 4,1 %, mashtrim. Korrupsioni, 3 herë më i lartë se rajoni

Lëvizja Socialiste për Integrim i cilëson si mashtrime premtimet e qeverisë, të dhëna nga ministrja e Financave, Anila Denaj se rritja ekonomike për vitin 2020 do të jetë në masën 4,1 përqind. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një dalje publike për median shprehet se kjo është një shifër të cilën e kanë hedhur poshtë Banka Botërore, së fundmi Banka Europiane për Rindërtimin e Zhvillim. “Dhe pse është e pamundur një shifër e tillë, dhe pse është kjo një gënjeshtër tjetër e madhe? Sepse ka një armik të jashtëzakonshëm që rëndon mbi buxhetin e të gjithë shqiptarëve, të familjeve të tyre dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, është korrupsioni. Është pikërisht një nga ata kushtet shumë të rënda që Gjermania na ka vendosur dhe ku i kërkon qeverisë Shqiptare një luftë të qartë dhe me rezultate të qarta për korrupsionin”, deklaroi Vasili.
Vasili theksoi se bizneset shqiptare në masën 36% ankohen se është administrata publike, tatimore e qeverisë që ju merr shpirtin dhe se ju kërkon zarfet me ryshfet, pikërisht kjo administratë e shtetit që ata të bëjnë punën e tyre.
“Këto shifra janë 3 herë më të larta korrupsioni se mesatarja e rajonit tonë. Pra 3 herë më të larta se të gjitha vendet e Ballkanit, që janë shumë të ngjashme me ne, janë 2 herë më të larta, një korrupsion më i lartë se mesatarja botërore. Dhe meqenëse i referohemi një qeverisjeje konkrete siç është rilindja apo ringjallja e tërbimshme e korrupsionit në Shqipëri, në 6 vitet e fundit korrupsioni është dyfishuar në Shqipëri. Njëherazi të gjithë bizneset shqiptare 44% e tyre pohojnë se ky korrupsion është shndërruar në pengesën kryesore të punës së tyre. Një shifër tjetër shumë e rëndësishme është dhe ju e kuptoni fare mirë, ju qytetarë që merreni me biznes, po dhe ju qytetarë të tjerë që frekuentoni bizneset e shqiptarëve dhe shifra është pikërisht se rreth 92% e bizneseve ankohen se vizitohen pambarimisht nga tatimet dhe duhet të paraqiten në zyrat e shtetit”, theksoi Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë