Njerez

“Lorik”, shfaqet filmi dokumentar për ish-kapitenin

“Lorik” është filmi dokumentar kushtuar ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i shfaqur në kryeqytet mbrëmjen e së mërkurës. Një film autobiografik i realizuar nga “Digitalb”, në bashkëpunim me fondacionin “LorikCana 5”.

Të pranishëm në eventin e organizuar me këtë rast ishin personalitete të ndryshme të sportit, kryesisht ish-lojtarë të Kombëtares dhe drejtuesd të FSHF-së, si dhe personalitete të politikës, si Presidenti Ilir Meta, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. I pari e mori fjalën Kryeministri Rama, i cili ka lëshuar edhe disa batuta: “Jeta e dytë e Lorikut do të jetë frymëzim për më të vegjlit, që ata të jenë krenarë për atë se kush janë dhe nga vijnë. Fondacioni do ta mishërojë më së miri qasjen e Lorikut ndaj vetes, njerëzve dhe vendit. Loriku ka pasur mundësi të luajë me kombëtaren e Francës apo Zvicrës, mund të zgjidhte dhe një kombëtare nga Lindja e Mesme, por kishte ëndërr të luante për Shqipërinë. Loriku i ka qejf librat, jo si Murati. Fondacioni do të jetë pikë bashkimi për të gjithë ata që kanë një ëndërr. Loriku do jetë një nga shembujt në sport, që provojnë se një ëndërr që e shikon me sy hapur, njeriu mund ta arrijë. Loriku ka qenë i gatshëm të paguajë ‘çmimin’. Nuk e ka lënë baba të tërhiqet. Duhet ta mbyll, duke i thënë babait të Lorikut se po mos ishte nëna, nuk do ta kishe bërë dot futbollist”.

Lorik Cana dhe Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë

Filmi dokumentar flet për jetën dhe karrierën e Lorik Canës. Përveç vetë protagonistit, në film flasin njerëz të afërt të tij, familjarët dhe shokët. Shafqen me radhët etapat e karrierës së Lorikut, nga PSG-ja e debutimi me Kombëtaren, te stacioni i fundit i karrierës së tij. Vetë Cana, gjatë ceremonisë, u shpreh: “Zakonisht jam spontan dhe nuk përgatis fjalim, por këtë herë po. Dua të filloj me falënderime për Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrat Haradinaj dhe Rama. Falënderoj të gjithë miqtë, bizneset si dhe partnerët. Andi Deçka më tha që kishte dëshirë për të bërë filmin dhe ka qenë njeriu i duhur për të treguar gjërat brenda këtij rrugëtimi. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk është e lehtë t’u kem të gjithë bashkë këtu. Kam planet e mia për të vazhduar në botën e sportit. Para se ta përfundoja karrierën, po mendoja si të vazhdoj dhe të jap një lloj kontributi, përveç mirëqenies së familjes.

Dua të jap një kontribut për shoqërinë dhe vendin tim, aty ku flitet shqip. Fondacioni është mënyra e duhur për ta përdorur si dritë mediatike. Ishte diçka e rëndësishme për mua ta filloja me fondacionin. Ka filluar para 1 viti e gjysmë dhe është i drejtuar në 2 degë: sportin dhe kulturën. Kultura është një nga pasionet e mia dhe do e bëj me më shumë dëshirë se sportin. Të fillojmë të implementime programin dhe virtytet e fondacionit. Programin e parë nuk e kemi shpikur ne. E kemi gjetur në një vend të Bshkimit Europian, në Hungari. Ishte një program që prek një shtresë të shoqërisë sonë, atë parashkollore.

Do ta filloj me Tiranën. Programi prek fëmijët 3-7 vjeç dhe fillon me kopshtet publike. Principi i programit të parë është të ndërtojmë fusha sportive dhe infrastrukturë moderne. Do ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në 100 fëmijë. Nuk ka të bëjë me akademi. Kemi një përgjegjës të programit, ndërsa FSHF-ja më ka mundësuar 2 fusha që do të ndërtohen, në Shkodër dhe në Elbasan. I kemi siguruar edhe 5 të tjera për vitin tjetër. Është një kënaqësi shumë e veçantë për mua që kjo të realizohet edhe në Prishtinë.

Fondacioni ka gjetur mbështetjen e komuniteti shqiptar nëAmerikë, kemi kërkesa për ta çuar fondacionin edhe në Ulqin dhe Tuz. Kemi një projekt për fshatin SOS, me ndihmën e presidentit Ilir Meta, që është një vlerë e madhe për ne. Kemi dëshirë që shumë shpejt të jemi dhe në Maqedoni. Kemi disa miq nga komuna e Prizrenit dhe aty do të ndërtohen kopshtet e para publike.

Në kujdesin tonë kanë qenë vetëm në Tiranë 250 fëmijë dhe ata mund të dyfishohen vitin e ardhshëm, është një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjithçka bëhet më e lehtë kur kemi njerëz të thjeshtë. Më shkroi dikush nga Polonia dhe brenda letrës gjeta 15 euro, që ishin për fondacionin. Duke parë që trashëgimia kulturore është shumë e gjërë, jemi munduar të bëjmë një promovim. Kemi filluar me skulptorin Asim Vokaj. Veprën e tij mund ta keni parë të gjithë. Ka bërë shumë vepra, nga Naim Frashri, te Nënë Tereza. Falënderoj komunitetin shqiptar në Amerikë, pasi gjeta një gatishmëri të jashtëzakonshme për të mbështetur vendin tonë. Faleminderit edhe “Digitalb”-it që më ka mbështetur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë