Biznes

Lokalet e lagjeve po mbyllen për t’u kthyer në…

Nga Gazeta 'Si' - Kaloja disa herë në ditë ndan lokalit poshtë pallatit. Lokal lagjeje, rreth 45 minuta më këmbë nga qendra.

Ai ishte në katin e parë të një pallati të ri, i cili në krye të herës kur isha bërë për herë të parë banore e lagjes, 7 vite më parë, frekuentohej masivisht.

Ishte një biznes familjar i një çifti në moshë të mesme, që ishin kthyer nga emigrimi.

Me krizën që la pas tërmeti, barit nisën t’i rralloheshin frekuentuesit. Kurse me përhapjen e pandemisë COVID-19, në çdo orë të ditës, në bar mund të dalloje lehtë vetëm familjen.

Nuk vonoi dhe bari u mbyll.

“Unë kam punuar në Greqi zanatçi; murator, bojaxhi e gjithçka ka të bëjë me sjelljen në terezi të një shtëpie. Lokali falimentoi. Unë administroj disa apartamente me qira dhe janë me shumë leverdi, kështu që vendosa të ndryshoj objektin e biznesit dhe ta ktheja në një apartament për ta dhënë me qira. Në QKB e kam lënë statusin pezull se ka angari procesi i falimentimit”, tregon Petriti për Gazetasi.al i cili, përpos mjedisit të brendshëm, nxjerr të ardhura edhe nga hapësira jashtë e ish-lokalit duke e lënë me qira si parkim.

Të njëjtën gjë po bën edhe Agroni disa pallate më tutje.

“Kisha pak më shumë se 15 vite që punoja lokalin. Tërmeti, pandemia dhe kriza që shkaktoi lufta në Ukrainë, më dërmuan. Po punoj që ta jap si apartament me qira”, shpjegon Agroni.

Ata nuk janë të vetmit, por ky është kthyer në fenomen. Si Petriti dhe Agroni kanë disa miq të cilët po veprojnë njësoj.

Këtë e konfirmon edhe Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj.

Jahaj shprehet se edhe dy vitet e ardhshme do hapen e do mbyllen derisa të arrihet ekuilibri

Ai thotë që kriza ka detyruar shumë bare dhe restorante të falimentojmë gjatë dhe pas pandemisë.

“Fenomeni i kthimit të bareve në katet e para në apartamente me qira ka nisur që në 2019. Çmimet e larta dhe në rritje të qirave për biznes, çmimet e larta të produkteve dhe ngopja e tregut me këtë lloj shërbimi, ka sjellë mbylljen e tyre. Kjo ka për të ndodhur edhe dy vite: do hapen e do mbyllen derisa të arrihet ekuilibri”- shpjegon Jahaj.

Të dhënat zyrtare të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm tregojnë se mbi 18 mijë subjekte tregtare me aktivitet të ndryshëm mbyllën përfundimisht qepenat.

Biznesi i vogël dhe i mesëm që përbën mbi 93 % të bizneseve në shkallë vendi ka 350- 400 mijë të punësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë