Futboll

Lojtari i Totenhemit rrëfen derbin e Koreve: Mrekulli që jemi gjallë

Pak ditë më parë bëri bujë lajmi i derbit mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, që u luajt pa tifozë dhe nuk u transmetua nga asnjë televizion. Një situatë misterioze për një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në Azi. Të luash në një stadium bosh në Pyeongyang, me fanella pa sponsor, sepse është sjellje kapitaliste, nuk të ndodh shpesh. Sulmuesi i Totenhemit, Son Heung-Min, ka rrëfyer gjithçka ndodhi në atë ndeshje, që përfundoi në barazim pa gola.

Nuk ishte ndeshja e parë mes dy vendeve. Në vitin 1990 është organizuar “ndeshja e bashkimit”, por derbi i parë zyrtar mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut ishte ai i 15 tetorit. Çfarë ndodhi realisht në atë ndeshje, që askush nuk e pa, e tregon ylli i Totenhemit për “Goal”. “Mëkat që nuk fituam, - ka thënë Son. – Ndeshja ishte aq agresive sa që mendoj se është një mrekulli që u kthyem të gjithë gjallë, pa u sakatuar”. Dhe ta dëgjosh nga goja e një lojtari që është mësuar me lojën e ashpër, pasi luan në Angli, është për t’u marrë në konsideratë.

Nga derbi mes du Koreve, 0-0. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Gjithçka për faj të atmosferës së tensionuar politike. Son nuk hyn në detaje, por shpjegon se lojtarët kundërshtarë luanin si të çmendur. “Lojtarët e Koresë së Veriut ishin shumë agresivë dhe kishin një ritëm të pabesueshëm. Gjatë ndeshjes ka pasur sharje të shumta”, - vazhdon Son. Ndeshja nuk u transmetua direkt në tv, një fakt që tërboi edhe FIFA-n. Edhe trajneri i Koresë së Jugut, portugezi Paulo Bento, ka pasur pakënaqësi për atë ndeshje, por ai është mjaftuar me analizën taktike. “Nuk ishte një ndeshje e mirë, nuk mundëm të bënim atë që kishim përgatitur. Arbitri e ndali lojën shpesh”, - tha ai. Mjaft i ashpër ka qenë Young-Il, zëvendëspresidenti i Federatës së Koresë së Jugut, i cili theksoi: “Dukej si luftë. Nuk kemi parë një sjellje aq agresive në një fushë futbolli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë