Sociale

Lojtarët e Kombëtares dhe tifozët, solidaritet e ndihmë konkrete pas tërmetit

Solidaritet absolut edhe nga bota e futbollit me të gjithë të prekurit nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e sotëm, veçanërisht me familjet e viktimave. Kanë reaguar në rrjetet sociale thuajse të gjithë futbollistët dhe ish-futbollistët e Kombëtares, ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ish-kapitenët e Kombëtares, Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj, ishin ndër të parët që bënë postime solidariteti në rrjetet sociale, ku shprehen se u gjenden pranë familjeve të viktimave të tërmetit. Më pas kanë bërë të njëjtën gjë edhe disa lojtarë të Kombëtares dhe presidenti Armand Duka. Klubi i Partizanit ishte i pari që reagoi në faqen zyrtare në lidhje me tërmetin, pastaj edhe Shkëndija e Tetovës.

Statusi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Gazeta Si, 27 nntor

Përveç futbollistëve dhe drejtuesve të futbollit në vend, kanë reaguar edhe disa nga grupimet më të mëdha të tifozëve shqiptarë, duke nisur me “Tifozat Kuq e Zi”, “Plisat”, “Guerrilsat” etj. Madje këto grupime nuk janë mjaftuar me mesazhe solidariteti, por kanë kaluar në veprime konkrete, duke mbledhur fonde për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave nga tërmeti. “Tifozat Kuq e Zi janë mobilizuar dhe kanë ngritur një fond emergjent për ndihmë në vatrat e prekura nga tërmeti. Ju njoftojmë se kemi filluar grumbullimin e mjeteve për zonat e dëmtuara”, shkruan grupimi “TKZ” në faqen e vet.

Postimi i "Tifozat Kuq e Zi". Gazeta Si, 27 nëntor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë