Futboll

Lojtarët e kanë mendjen te celulari, një foto tërbon tifozët e Milanit

Një foto e dhomave të zhveshjes të Milanit ka tërbuar tifozët kuqezinj. Tre lojtarë, konkretisht Rebiç, Bilia dhe Kesi, para ndeshjes Milan-Napoli janë kapur nga telekamerat me telefonët e tyre në duar në dhomat e zhveshjes. Një sjellje e papranueshme dhe aspak profesionale sipas tifozëve kuqezinj, një çështje që ka krijuar shumë polemika.

Ante Rebiç dhe Lukas Bilia shfaqen të përqenderuar te celulari i tyre, ndërsa Frenk Kesi thjesht e mban në duar. Duke pasur parasysh paraqitjen e Bilias dhe Rebiç gjatë ndeshjes me Napolin, të dy të zëvendësuar nga trajneri Pioli, tifozët e kanë lidhur atë me shpërqendrimin total të dy futbollistëve në dhomat e zhveshjes. Tifozët mendojnë se është mungesë e theksuar respekti sjellja e tre lojtarëve. Komentet në rrjetet sociale kanë qenë shumë të ashpra për tre kuqezinjtë.

Fotoja që qarkullon në rrjetet sociale është bërë një orë para ndeshjes me Napolin, që përfundoi në barazim, 1-1. Asnjë nga këta tre lojtarë, Bilia, Kesi dhe Rebiç i ardhur me bujë nga Eintraht Frankfurti, nuk ka bindur këtë sezon me Milanin, kështu që ka mjaftuar një foto për të shpërthyer inatin e tifozëve kuqezinj. Në kohët e sotme mjafton një foto për t’u bërë shënjestër e dikujt dhe këtë gjë e dinë mirë Bilia, Kesi dhe Rebiç. Milani i këtij sezoni është një zhgënjim shumë i madh, madje ndërrimi i trajnerëve duket se e ka përkeqësuar situatën, ndërsa tifozët konsiderojnë fajtorë si drejtuesit, ashtu edhe futbollistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë