Kryeministri i vendit, Edi Rama, në rubrikën e tij “Përgjigjja Ime”, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje projektligjin për lojërat e fatit. Kryeministri Edi Rama vendosi t’i përgjigjej një qytetari që e pyet në lidhje me mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve. Para ndjekësve të shumtë, Rama është shprehur se ka dashur që këtë vendim ta merrte më parë siç edhe kishte premtuar, por nuk ia kishte dalë për shkak të një mosmarrëveshje të koalicionit qeverisës së mandatit të parë.
Sipas komentuesit, me mbylljen e tyre do të mbeten shumë njerëz pa punë, por kryeministri insiston se ky është një vendim aspak fatkeq.
“Halla si e bërë, jeni i madh fare, po ik se lat nam ca i keni këto do lesh gjith kta njerëz pa pun jeni ne terezi ju apo jo??? Hap ore vende pune per ata qe lozin lloto e kazino qe mos te ken me mendje per atje. Ca esht kjo llogjik kemi gjyusmit pa pun, hajt ti bëjmë gjithë pa pune”, shkruan komentuesi.
“A e di sa janë punësuar nga janari në shtator? 26 mijë vetë dhe për këta nuk ka një X po ka një emër e mbiemër në Republikën e Shqipërisë.
240 mijë është paga më e ulët sot në vend, marrin ata që s’kanë zanat dhe as kualifikim. Kush i ka këto, merr shumë më shumë. Qindra miliona euro në vit që u merren familjeve do i shkojnë ekonomisë shtëpiake, s’do i marrë lumi. Do doja ta bëja më parë siç e kisha premtuar, por s’mundja dot se rezistenca ishte e madhe. Në mandatin e parë kisha rezistencë si pasojë e koalicionit qeverisës”, thotë kryeministri.
Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur edhe opozitën, duke pohuar se nuk e di nëse ata do të vijnë ta votojnë ligjin që prej kaq kohësh u thonë shqiptarëve se i ka në pronësi vëllai i tij, Olsi.
“Se di çfarë do të bëjë opozita, a do të vijë, a nuk do të vijë të mbyllë biznesin që ka kaq vjet që iu çan dërrasat shqiptarëve, duke iu thënë që është biznesi i vëllait tim. Ne votat i kemi më 31 dhjetor do t’ju bëjmë një dhuratë shumë të pritur nënave dhe grave shqiptare”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.