Taksa

Lojërat e fatit, Braçe-Ibrahimajt: Pse nuk sillni ligjin në Kuvend, por keni llogaritur fitimet dhe tatimin për të?

Nga Gazeta ‘SI’ - Tatimi i lojërave të fatit në vend ka qenë në fokus të komisionit të sotëm të Ekonomisë, ku deputeti socialist, Erion Braçe tha se nuk mund të kalohet një ligj që parashikon tatimin për këtë aktivitet, kur ende nuk është gati ligji për rregullimin e tij.

“Data 1 dhjetor dhe qeveria se ka sjell ligjin në parlament. Duhet të kemi minimalisht para ligjin për të ardhurat dhe tatimin e lojërave të fatit. Pa hyrë në fuqi ky ligj duhet të hyjë në fuqi ligj tjetër. Si mund ta përcaktojmë ne normën e tatimit kur nuk e dimë se si do të rregullohet ky aktivitet? Bëhet fjalë për të ardhurat apo fitimin? E bëmë këtë gjë për buxhetin, por nuk e bëjmë dot në çdo rast. Deri tani nuk ka ndonjë shpjegim se deri ku do të shkojmë me lojërat e fatit. Për sa kohë e kemi ditur sa të ardhura do të vijnë nga ato, pse pse nuk ka vjen ligji në kohë? Kemi llogaritur 2 mld lekë të ardhura nga tatimi i lojërave të fatit dhe 8 mld lekë nga mbifitimi i kompanive të energjisë”, - u shpreh Braçe përballë ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.

Ministrja shpjegoi se ligji i tatimit mbi të ardhurat, ku përfshihen dhe lojërat e fatit, është ligj ombrell që parashikon taksimin e çdo të ardhure që prodhon individi dhe se ligji për rregullimin e lojërave të fatit do të kalojë në Kuvend më 22 dhjetor.

“Brenda dhjetor ligji për lojërat e fatit do të jetë në parlament. Do të jetë ligji aktual me disa ndryshime dhe ligji i ri për pensionet private. Ligji për tatimin mbi të ardhurat dhe ligji për Agjencinë e Trajtimit të Kredive.  Më 22 dhjetor parashikojmë të miratojmë ligjin për TAP. Në bazë të tij do të adaptohen dhe ligjet tjera, të pasuara me akte nënligjore”, - u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ajo shtoi se në ligjin e ri të TAP ka qenë e nevojshme ndryshimi i qasjes mbi të ardhurat e të vetëpunësuarëve dhe individëve tregtarë që do të taksohen me 15% për të ardhurat deri në 14 mln lekë në vit dhe 23% për mbi 14 mld lekë. Ministrja tha se përjashtimeve dhe incentivave u ka ardhur fundi, pasi “misioni” i tyre ka përfunduar. Ajo sqaroi se nga të ardhurat, për çdo fëmijë në ngarkim deri në 100 mijë lekë, do të njihen si shpenzime të zbritshme, që nuk taksohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë