Ne rrjet

“Lojëra” lufte në Egje, Greqia SHBA, Franca dhe Turqia në anën tjetër në stërvitje ushtarake

Deti Egje vlon sot nga stërvitjet ushtarake, me Francën dhe SHBA-në që janë angazhuar në lojëra lufte me Greqinë, ndërsa Turqia po mban ushtrime pranë anijes kërkimore "Cesme"

Turqia është duke organizuar flotën e saj në veri të detit Egje, ndërsa grekët bashkë me francezët janë pozicionuar rreth Kretës, ndërkohë që në Aleksandropulos ushtria greke po stërvitet bashkë me amerikanët.

Mediat greke raportojnë se së fundmi mbi ishujt grekë Chios dhe Samos është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili ka trembur mjaft banorët e zonës.

Siç raportohet nga Protothema, në momentin që u dëgjua shpërthimi në zonë kaluan dy avionë F-16 turq, të cilët tejkaluan shpejtësinë e zërit duke shkaktuar pikërisht shpërthimin në fjalë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Greqisë nuk ka dhënë ende asnjë informacion mbi këtë shpërthim që u dëgjua.

Egjeu Lindor është kthyer tashmë në një teatër ku aktorë të ndryshëm rajonalë, por edhe botërore janë duke treguar forcën e tyre ushtarake për qëllime të ndryshme.

Ndërkohë që SHBA-të dhe Greqia kanë njoftuar kryerjen e një stërvitjeje të përbashkët në kuadër të NATO-s nën emrin “Defender Europe 21”, ku pritet angazhimi i më shumë se 140 helikopterëve dhe mijëra forcave ushtarake, në zonë po futet sërish Franca me armën e saj më të fuqishme detare, pikërisht aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”.

Mediat turke raportojnë se aeroplanmbajtësja franceze është nisur tashmë me 20 avionë të avancuar “Rafale” dhe do të pozicionohet për kryerjen e disa manovrave në Egjeun Lindor para se të kalojë në Detin e Kuq dhe më pas në Oqeanin Indian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë