Muzike

Locked Inside – Për karantinën e personave LGBTI, që nuk ka përfunduar ende

Atë ndjesinë mbytëse që të jep izolimi brenda katër mureve, duke mos lejuar të jesh aty ku do, me atë që do, të bësh at’që ta ka ënda, e provoi i gjithë njerëzimi në karantinën e pranverës, ku pandemia Covid-19 sapo kish nxjerrë dhëmbët kërcënues për shëndetin dhe jetën e miliarda banorëve të këtij planeti.

Por një karantinë të ngjashme, edhe pse jo të burgosur fizikisht, njerëzit që nuk munden të jenë dot vetja për shkak të turpit, frikës dhe stigmës e përjetojnë thuajse çdo ditë, veçanërisht në shoqëritë patriarkale ku i ndryshmi shihet gjithnjë me dyshim.

Për ta shprehur me zë, se ç’do të thotë të mbyllesh e të ndrydhesh brenda u krijua kënga “Locked Inside”, një bashkëpunim mes komunitetit LGBTI+ dhe Bulza Entertainment, që ia besoi vokalit të artistes së re Anxhela Llaha.

“Heqja e paraleleve me karantinën gjatë pandemisë dhe realiteteve tona erdhi gjatë majit, kur po përgatiteshim për Paradën”, do të rrëfente përfaqësuesja e këtij komuniteti, Xheni Karaj, ndërsa shton “po e diskutonim gjatë karantinës me partneren se ky në fakt nuk ishte realitet i ri për personat LGBT. Deri në momentin që  e pranojmë hapur, e kalojmë duke përjetuar frikën e të qenit vetëm, me turp, të stigmatizuar. Edhe një marrëdhënie e përjeton brenda katër mureve, sepse ke frikë që kur të merret vesh, do të kesh përballjen me miqtë dhe familjen”, shpjegonte aktivistja, ndërsa projekti muzikor gjeti mbështetje tek përfaqësitë e huaja diplomatike.

https://www.youtube.com/watch?v=OdtYJaj8GOo

Veç artistëve si Kamela Islamaj, Marsela Çibukaj, Angel & Bam Bam Galaxy, në videoklip shfaqen duke përsëritur vargjet e këngës ambasadorja amerikane Yuri Kim, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ambasadorja suedeze Elsa Hadstad dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf.

Projekti u realizua falë mbështetjes financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme  gjermane dhe Ambasada  e Gjermanisë në Tiranë. “Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën “Streha” për këtë ide të shkëlqyer dhe të gjithë artistët/et, kolegët/et që kontribuuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë video”, shkruante Ambasada Gjermane, ndërsa në Facebook-un e ambasadës suedeze shkruhej mesazhi “Suedia e dashuron barazinë. Krenarë të jemi pjesë  e videos fantastike muzikore të “Streha”, për të drejtat e LGBTI+”.

Me krenari për mbështetjen shprehej edhe delegacioni i BE-në në Tiranë , duke premtuar vijimin e mbështetjes për mbrojtjen e komunitetit  LGBTI+ në Shqipëri “aq më shumë gjatë periudhës së vështirë #Covid19”, shprehej ambasadori Soreca.

I mbyllur përbrenda nuk mund të marr frymë

I mbyll sytë dhe shoh tani

Ende nuk ka marrë fund kjo karantinë

Po më thyen nga brenda

“Kënga  synon të kontribuojë në ndryshimin e stereotipeve negative dhe diskriminimin me të cilën përballen personat LGBTI+, si dhe për të krijuar një mjedis më të hapur dhe pranues ndaj çështjeve LGBTI + në komunitetin shqiptar”, shpjegojnë për Gazeta Si nga Qendra “Streha”, ndërsa lirika e këngës është shkruar në gjuhën angleze.

Karantina Shpirtërore, e quajnë personat e këtij komuniteti, por gjithaq edhe kurajë e fuqi përtë dashur, që në fund e thyejnë karantinën.

“Përmes këngës, duam t'i bëjmë bashkë sërish të gjitha këto ndjesi dhe emocione të vitit të vështirë 2020, me shpresën se mund të bashkohemi dhe më tej rreth vlerave të diversitetit, pranimit dhe dashurisë”,  thonë nga Qendra “Streha”.

https://www.youtube.com/watch?v=bAeWlk02WbI

Kënga shpreh ndjesinë  e izolimit edhe kur hapësirat nuk janë të kufizuara dhe zbrazëtinë që ndiejnë personat që nuk munden të jenë dot të lirë.

Sipas një sondazhi që Qendra “Streha” ka  kryer me  rreth 120 persona të komunitetit, Xheni Karaj zbuloi se janë 84 përqind e atyre që shohin si zgjidhje për të jetuar të lirë emigrimin. Gjithaq vijon bullizimi dhe diskriminimi në shkolla të lidhur me identitetin gjinor dhe atë seksual.

E megjithatë, komuniteti LGBTI+ nuk ndalet në kërkesat për të drejtat e tij, ndërsa Karaj do të thoshte që janë hedhur hapat për të njohur zyrtarisht bashkëjetesën dhe martesën dhe më vonë si pasojë do të advokohet që persona të këtij komunitet të adoptojnë fëmijë.

https://www.youtube.com/watch?v=MJUVhMW8UkU&list=UUKMRN5McEhTXT7-O5k9FdNQ

Për këngëtaren e re, Anxhela Llaha e cila e pati debutimin me Bojken Lakon në festivalin e 57-të të këngës në RTSh, është i katërti vit që bashkë me shtëpinë diskografike “Bulza Entertainment” realizojnë këngë për komunitetin LGBTI+,  si “Flame” apo  “Love is All and All is Love”, me pjesëmarrjen e një grupi këngëtarësh, ku nuk mungonte  Bojken Lako, Semi Jaupaj, Kamela Islamaj dhe Marsela Çibukaj. “Por në këtë projekt u vendos ta këndoja unë” , thotë Anxhela Llaha, ndërsa beson se në vargjet e këngës, megjithëse e shkruar duke pasur në mendje një komunitet të caktuar, kushdo mund të gjejë veten.

“Për fat të mirë artistë si Anxhela, Kamela, Bojkeni dhe Marsela kanë qenë aleatë jo vetëm të kauzës sonë, por të kauzave të ndryshme për të drejtat e njeriut. Këta artistë japin një mësazh shumë të fottë jo vetëm ër komunitetin LGBTI, por për të gjtihë shoqërinë për ta bërë më të hapur, pranuese e demokratike”, do të thoshte Xheni Karaj, e kënaqur që mesazhe të tilla ndërgjegjësuese vijnë nga jashtë komunitetit, i cili në mbrojtje të të drejtave të tyre shpesh perceptohet si agresiv dhe kërcënues për pjesën tjetër të shoqërisë, që ende nuk është pranues për të ndryshmin.  Përmes kësaj kënge që , ndoshta bëhet edhe më e prekshme, kur thuajse i gjithë qytetërimi urban përjetoi ndjesinë e pafuqisë, izolimi e të frikës, ata që kanë luftuar gjithnjë me veten e me të tjerët për ta thyer atë karantinë shpirtërore, shpresojnë që të gjithë  të bëhen bashkë në emër të diversitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë