Politike

Lobimi në SHBA – Basha në Prokurori, çfarë ndryshoi?

Mentor Kasa - Në një hark kohor prej më pak se një jave, Lulzim Basha reflektoi dy qëndrime karshi hetimit të prokurorisë për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Partisë Demokratike. Më 21 mars, ditën e protestës, kreu i PD-së nuk ndodhej fizikisht në Tiranë, por edhe nëse do të ishte e kundërta, sërish kërkesa e prokurorisë për t’u paraqitur aty do të refuzohej.

Këtë ja bëri të qartë në letrën që kreu i PD-së i dërgoi organit të akuzës. Ai e konsideronte kërkesën e paraqitjes për njohjen e akteve si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe në asnjë standard profesional e etik të hetimit”.

Çfarë ndodhi që Basha u paraqit këtë të hënë në dyert e Prokurorisë së Tiranës, ku qëndroi rreth një orë? Ndryshimi i madh, sipas PD është riformulimi i kërkesës nga ana e Prokurorisë. Burime nga PD-ja thonë se kryedemokrati ka pranuar thirrjen, pasi Prokuroria e ka kërkuar për të dëshmuar si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që herën e parë ai ishte thirrur për t’u njohur me aktet.

“Këtë herë kërkesa e Prokurorisë është e ligjshme, sepse e kërkon për të dëshmuar si person që ka dijeni për rreathant e ngjarjes. Herën e kaluar e Basha u thirr për t’u njohur me aktet. Bëhej fjalë për njohjen me leterporositë që kanë shkuar që në gusht në Prokurori dhe i bëjnë publike tani, sipas agjendës politike të Ramës. Pasi kërkesa u konsiderua e paligjshme dhe në shërbim të qeverisë erdhi një shkresë tjetër, e formuluar brenda kërkesave ligjore, që kërkon dëshmi në cilesinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Njësoj si disa muaj më parë, kur ka dhënë një dëshmi të ngjashme, Basha u paraqit në Prokurori”, thonë burime të PD.

Edhe Basha këmbëngul se prokuroria e Tiranës po përdoret politikisht nga Edi Rama në këtë hetim. Ai kërkoi prej organit të akuzës që të bëjë publike letërporositë e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara dhe Skocia.

Thirrjes së Bashës për të publikuar letërporositë e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Britania e Madhe, Prokuroria iu përgjigj përmes një deklarate për mediat. Në të, organi i akuzës nuk publikon detaje nga këto letërporosi, por thotë se në bazë të përmbajtjes së tyre lind dyshimi i arsyeshëm se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD me shpenzimet reale.

“Ky subjket ka deklaruar vetëm shumën prej 25 mijë dollarë dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarë. Sipas akteve të ardhura nga letërporositë e mbërritura nga SHBA dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çka nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, thotë organi i akuzës.

Përveç Lulzim Bashës, në pyetje është marrë edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, financiari i PD, Ilir Dervishi si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani. Prokuroria kujton se njëra nga pagesat rezulton të jetë bërë nga një kompani e huaj, duke iu referuar “Biniatta Trade” dhe në fund thotë se garanton një hetim objektiv, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht.

Por, kreu i PD i kërkon Prokurorisë së Tiranës të distancohet menjëherë nga qëndrime me prapavijë politike, si dhe të marrë të gjitha masat për të ndaluar në të ardhmen, çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimi.

“Hetimi për financimet e PD ka nisur me kërkesë të PD një vit e gjysëm më parë. Ai nuk ka të bëjë më gënjeshtrat që propagandon qeveria, por nëse PD i ka plotësuar siç duhet formularët financiarë në KQZ. Përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, të ardhura prej 6 muajsh, vërtetojnë se PD nuk ka shkelur asnjë ligj. Qeveria e aktivizon hetimin sa herë i duhet për nevoja politike. I kam kërkuar prokurorisë t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura”, thotë Basha.

Kryetari i demokratëve thotë se ka edhe një fushatë keqinformuese në lidhje me objektin e hetimit.

“Çështja që po hetohet me kërkesë të Partisë Demokratike, është nëse këta formularë janë mbushur apo jo siç duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike”, deklaroi ai.

Artikulli që “frymëzoi” hetimin e Prokurorisë shqiptare

Hetimi i Prokurorisë shqiptare në lidhje me burimin e parave të përdorura nga Partia Demokratike për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi pas publikimit të një artikulli në mars të 2018 nga revista “Mother Jones”, një revistë amerikane e njohur për qëndrimet e majta të saj.

Grafika e lidhjeve te lobimit me ruset sipas MotherJones

“A e shfrytëzuan rusët sistemin politik amerikan për të promovuar të djathtën shqiptare në Uashington dhe nxitur trazira në Ballkan?”. Me këtë pyetje niste artikullin e saj të gjatë investigativ kjo revistë.

“Një ish-ndihmës i fushatës Trump që punon si lobist, një pagesë gjysmë milion dollarëshe, një parti politike konservatore shqiptare, katër kongresmenë republikanë, Breitbart News dhe kompani të fshehta të lidhura me Rusinë”, vijonte artikulli.

Revista e cilëson një histori të komplikuar, që nis në 2017 me kompaninë skoceze “Biniatta Trade”, e krijuar nga “Asverro Corporation & Liminez Commerce” me bazë në parajsën fiskale, Belize. “Rastësisht, ose jo, dy kompanitë e regjistruara në Belize, e që qëndronin pas “Biniatta Trade” ishin që të dyja të lidhura e të kontrolluara nga rusët”, vijon artikulli.

“Asverro Corporation & Liminez Commerce” vetë është e krijuar nga “Babyonica” dhe “KF Global Management”, që të dyja të regjistruara në Britaninë e Madhe, e para me aksioner kryesor mbi 75 për qind, Evgeny Shermetyev dhe e dyta me Konstantin Ferulev, që të dy shtetas rusë.

“Biniatta Trade” pagoi një lobist republikan dhe ish-ndihmës i fushatës së Donald Trump i quajtur Nick Muzin “për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë, një shumë që në total shkon në 150 mijë dollarë”, thotë revista.

Pagesa, sipas “Mother Jones” është kryer disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit dhe në kohën kur Partia Demokratike protestonte në çadër.

Më tej, shkrimi vijon me një përshkrim të shkurtër për Nick Muzin. MotherJones thotë se ai është diplomuar për drejtësi në Yale. Pas inaugurimit të Donald Trump si President, nuk arriti që të bëhej pjesë e administratës së tij, por më 31 mars të 2017 regjistrohet në Departamentin e Drejtësisë si lobist me kliente Partinë Demokratike shqiptare, me të cilën, sipas revistës, kishte nënshkruar më herët një kontratë.

“Kontrata e firmosur nga Nick Muzin dhe për Partinë Demokratike nga Lulzim Basha kërkonte nga ana e lobistit që të promovojë Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në të përcaktohet se ai do të paguhet me 25 mijë dollarë për tre muaj, mars, prill dhe maj”, vijon revista në shkrimin e saj.

Në fund të marsit 2017, shkruan Mother Jones, Nick Muzin rregulloi një vizitë të Lulzim Bashës në Uashington, ku në axhendë ishte edhe takimi me tre kongresmenët republikaanë, Ed Royce, Dana Rohrbacher, cilësuar gjithashtu edhe si kongresmeni i parapëlqyer i Vladimir Putin dhe Pete Sessions. Basha mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Komitetit Kombëtar të Republikanëve, ku foli edhe Donald Trump.

Pas kësaj, Nick Muzin kontaktoi me Stephen Bannon, në atë kohë një këshilltar me peshë i Trump dhe të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për llogari të Bashës dhe organizoi intervistimin e tij nga “Breitbart Neës”, faqe ultrakonservatore e informacionit online, që drejtohej nga Stephen Bannon deri para se ai t’i bashkohej fushatës së Trump në 2016.

“Nëse Basha do të siguronte mbështetjen në SHBA, ai do ta trumpetonte këtë në Shqipëri. Mes konservatorëve ai ishte i familjes, por në kundërshtim me qëndrimin pro-europian dhe pro-perëndimor të shqiptarëve, Lulzim Basha po flirtonte me populizmin nacionalist dhe po shtynte gjithnjë e më shumë me sloganin “Make Albania Great Again”, shtohet më tej.

Artikulli mban për autorësi David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman. Pyetja që ngrinin autorët ishte nëse lobuam rusët për Lulzim Bashën në Uashington apo jo? Në Tiranë mazhoranca ishte e bindur dhe akuzonte opozitën, madje në komisionet parlamentare deputetë të saj kërkuan hetim ndaj Lulzim Bashës për këtë çështje.

Çështja u vendos në qendër të diskursit politik në mars 2018, aq sa për akuzat ndaj Partisë Demokratike nga ana e mazhorancës ndërhyu edhe Ambasada Ruse në Tiranë.

“Një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

https://www.facebook.com/RusEmbassyAlbania/posts/1644504278976679

Edhe Lulzim Basha i cilësoi akuzat trillim dhe akuzoi mazhorancën e qeverinë se kishte paguar me para të drogës dhe krimin artikullin e publikuar nga “MotherJones”.

Por jo vetëm PD. Në qendër të investigimeve të “MotherJones” u vendos edhe gjysma tjetër e opozitës, LSI. Në artikullin publikuar në muajin prill dhe të titulluar: “Kush e paguan Buck McKeon-in në favor të një partie shqiptare? Si përdori kompania misterioze një kongresmen republikan për të lobuar me Trumpin dhe Kongresin?”, MotherJones citon disa veprime financiare, që i quan të dyshimta në favor të lobimit për Lëvizjen Socialiste për Integrim në SHBA.

Edhe LSI reagoi duke deklaruar se do të padisë revistën për këtë artikull, që e quajti të trilluar dhe shpifje të paguar nga paratë e drogës së Edi Ramës.

E bindur se nuk ka asgjë për të fshehur, në qershor të 2018, Partia Demokratike lobonte sërish në Uashington. Në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë u publikua një kontratë lobimi e PD me kompaninë “Sonoran Policy Group”, e njohur për kontaktet që ka me njerëzit pranë Presidentit Donald Trump.

Kontrata mban datën 12 qershor 2018 dhe vlefshmëri deri në tetor 2018. Për shërbimet e grupit “Sonoran”, Partia Demokratike ka derdhur shumën prej 40 mijë dollarësh.

Lobimi në Kongresin dhe në Shtëpinë e Bardhë në SHBA është një aktivitet që në një vit gjeneron miliona dollarë për kompanitë ndërmjetësuese, që paguhen nga udhëheqës, subjekte politike, individë e shoqata të vendeve të ndryshme të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë