Biznes

Llotot rikthehen për 1 prill, përgatiten sallat. 1000 njësi për 1 licencë, si do të funksionojnë online

Nga Gazeta 'Si' - 1 prilli përveç ditës së gënjeshtrave do të mbahet mend dhe si dita e rikthimit të llotove në vend.

Nga sot, çdo shoqëri e interesuar për të operuar në këtë biznes duhet të aplikojë për licencim pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, te Ministria e Financave. Në total AMLF do të japë vetëm 10 licenca, me kohëzgjatje 10-vjeçare dhe çdo licencë do të mund të administrojë deri në 1000 pika operimi.

Aplikimi kushton 500 mijë lekë, ndërsa marrja e licencës 400 mln lekë.

Ndërkohë në një monitorim nga Gazetasi.al, pikat e basteve që nuk u mbyllën kurrë, po përgatiten për "rikthimin" e aktivitetit, tashmë pa asnjë ndrojë. Ndonëse bastet do të jenë vetëm online, ato do të ofrojnë aksesin në rrjet, pamjet live të ndeshjeve dhe shërbimin e zakonshëm të një bar-kafeje.

Kriteret e kërkuara për licencim

Fillimisht shoqëria aplikuese ose njëri prej aksionerëve (30% të aksioneve) duhet të ketë përvojë në të paktën 3 shtete të BE/OECD për të paktën 3 vite, në këtë fushë. Njëri prej aksionerëve duhet të ketë gjeneruar të paktën 2 mld lekë aktiviteti në fushën e lojërave të fatit, në vitin e fundit financiar.

Shoqëria duhet të jetë e regjistruar në QKB dhe të ketë një kapital prej 40 mln lekësh dhe të deklarojë burimin.

Çfarë thotë ligji i ri

Pas luftës 5-vjeçare të shtetit me bastet, ideja e rikthimit nxiti një tjetër ‘luftë’ në Kuvend. Prej më shumë se një viti, drafti është ndryshuar disa herë, përballë kritikave të opozitës dhe vetës mazhorancës.

Drafti final, i dekretuar para pak javësh, tregon se organizatorët e basteve nuk do të kenë asnjë barrë fiskale. Ata vetëm do të përmbushin detyrimin e Fondit të Posaçëm, ku do të derdhin 15% të të ardhurave mujore.

Përpos kësaj, ata duhet të ngurtësojnë një fond prej 170 mln lekësh, si formë garancie për lojtarët. 120 mln prej tyre do të kalojnë në llogari të Ministrisë së Financave dhe do të zhbllokohen vetëm me urdhër të saj. 50 mln do të jenë në llogari AMLF-së, që po ashtu zhbllokohen vetëm me urdhër të ministrit të Financave.

Ndonëse në ligj theksohet se janë bërë më shumë përpjekje për të mbrojtur lojtarët, është ulur mosha e lejuar për të luajtur dhe punuar, në 18 nga 21 vjeç që ishte më parë.

Nëpunësve të AMLF-së dhe anëtarëve të Komisionit të Licencave, që përbëhet nga Këshilli i Ministrave u ndalohet të luajnë lojëra fati në të gjitha kategoritë e lojës që janë përcaktuar në këtë ligj. Të gjitha pikat e lojërave online duhet të afishojnë anët negative të lojës, pra varësinë dhe problemet e tjera që shkakton kumari.

Të gjithë organizatorët do të lidhen me bankat tregtare apo institucionet financiare dhe agjentët financiarë, që do të ndërmjetësojë pagesat dhe tërheqjet në llogari të klientëve dhe organizatorit. Ata hapin llogaritë për lojtarët që më pas mbushet nga ato sipas vlerës që do të luhet me numër ID. Paraja cash nuk do të përdoret më.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë