Politike

Lleshaj shpjegon listat e votuesve dhe mohon dorëheqjen

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj doli në një konferencë për shtyp për të hedhur poshtë dy lajme. I pari, që lidhej me ndryshimin e adresave, që sipas artikujve që qarkullojnë në disa media po çregjistrojnë votuesit e opozitës dhe i dyti që lidhet me zërat se ai i ka paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen.

Lleshaj e pranoi këtë si fenomen, që është vënë re për shkak të përditësimit të sistemit të adresave të qytetarëve.

“Ka përfunduar censusi përkatës në terren për këtë qëllim, ka ndodhur që qytetarë të caktuar janë regjistruar në një adresë tjetër nga ajo që kanë sot. Kur ata hyjnë për të parë të dhënat personale në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Zyrat e Gjendjes Civile janë të gatshme për të bërë rregullimet e nevojshme. Kushdo mund ta verifikojë adresën në e-Albania”, u shpreh ministri.

Por, Lleshaj tha se ky proces nuk ndikon tek listat e zgjedhësve dhe se çdo qytetar do të votojë në adresën e vjetër, me përjashtim të rasteve kur është zhvendosur vetë nga kjo adresë.

“Listat e votimit që publikohen më datë 5 tetor nuk kanë asnjë lidhje me adresat e përditësuara të qytetarëve. Listat e votimit do të lëshohen mbi bazën e adresave të vjetra dhe qytetarët do të votojnë në bazën e adresave të vjetra. Qytetarët do të votojnë në qëndrat e votimit që kanë votuar herën e fundit, përveç rasteve kur vetë qytetari e ka ndryshuar këtë”, tha ministri i Brendshëm.

Lleshaj i vlerësoi si të rreme lajmet mbi zhvendosjen e qytetarëve, që sipas tij, synojnë të godasin dhe cenojnë procesin zgjedhor të 25 prillit. Ai njoftoi gjithashtu se Qeveria do të dalë me një paketë të re ligjore që do të konsolidojë sistemin e adresave.

Gjatë kësaj konference me gazetarët, Lleshaj u pyet edhe në lidhje me disa zëra që qarkullojnë, sipas të cilave, ai i ka paraqitur dorëheqjen Kryeministrit Edi Rama.

“Burimet e informacionit duhet të jenë të besueshme. Nuk është fare e vërtetë, sepse siç e shikoni jam këtu me ju në postin e ministrit të Brendshëm. Natyrisht ka kudo persona që për arsye të ndryshme mund të japin deklarata që s’kanë të bëjnë me të vërtetën”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë