Politike

Lleshaj: Gazin lotsjellës e morëm nga Kosova, por nuk e përdorëm dhe e kthyem

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për herë të parë e ka pranuar se policia e shtetit ka marrë gaz lotsjellës nga Kosova për ta përdorur kundër protestuesve të opozitës. Këtë deklaratë Lleshaj e bëri gjatë interpelancës së zhvilluar në Parlament me deputetët e opozitës për situatën e rendit dhe luftën kundër drogës, kur ndër pyetjet e paraqitura ishte edhe përdorimi i gazit lotsjellës ndaj familjeve në zonën e Astirit dhe të Bregut të Lumit që kundërshtonin prishjen e shtëpive të tyre. Lajmi i dërgimit të 500 granatave me gaz lotsjellës doli në mediat në Kosovë dhe një ditë më pas u pranua nga vetë Policia e prishtinës se e ka dërguar këtë sasi armatimi pas kërkesës së bërë nga ana e Policisë së Shtetit.

“Nga ka ardhur gazi lakrimogjen? Mund të  kërkojnë informacione se nga ku. Por është përdorur nga rezervat e shtetit që ka pasur në dispozicion prej qeverisë së mëparshme. Kam dëgjuar edhe spekulime sigurisht nga Kosova. Po është marrë një sasi dhe nuk është përdorur asnjëherë dhe është kthyer atje ku është marrë, sipas informacioneve të mia”, deklaroi Lleshaj.

Basha në protestën e opozitës duke iu larguar gazit lotsjellës. Gazeta "Si" 12 shkurt 2020

Ministri i Brendshëm theksoi se gjatë 2019-ës institucionet shtetërore u vunë në shenjëstrën e sulmeve të dhunshme, duke paraqitur rrezik për qytetarët, deputetët, institucionet dhe rendin kushtetues. Përballë kësaj situate ministri shtoi se Policia ka përdorur një taktitkë dhe strategji deskaluese dhe jo përshkallëzuese, duke vepruar një hap pas turmave, e duke shtuar se për herë të parë në këto 30 vite nuk pati gjak apo viktima në bulevard gjatë protestave.

Por deputeti i opozitës, Lefter Maliqi e cilësoi  si mashtrim. “Si mund ta përdorësh gazin lotsjellës ndaj nënave dhe fëmijëve që dalin aty për mbrojtjen e pronave Tani thua se nuk kam marrë dhe tani mashtron dhe thuaj se e kam kthyer”, shtoi Maliqi.

Debati për KÇK, Ministri: Nuk ka urgjencë akti normativ

Situata e rendit dhe lufta e policisë ndaj krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike kanë “përplasur” ministrin Lleshaj me deputetin Maliqi. Ministri ka hedhur poshtë pretendimet se Shqipëria ka pasiguri dhe se situata e rendit është më e mirë në këto 30 vite. “Nuk ka asgjë urgjente për ta klasifikuar të tillë situatën e krimit në vend! Nuk ka një situatë të rendit në vend, por është më e mira në histori! Shifrat e thonë qartë! Gjendja e situatës së krimit është në parametrat më të mira në historinë e këtij vendit! Mesatarja e vrasjeve në 10 vitet e fundit është 85, ndërsa në vitin e fundit është 30 më pak se sa mesatarja! Rendi i përmirësuar vjen për shkak të sjelljes së mirë te qytetarëve dhe masave të marrave nga qeveria! 24 grupe kriminale janë shkatërruar gjatë 2019! Shumica e rrjeteve kriminale janë zbuluar! Volumi i madh i policisë së shtetit nuk ka gjetur rezonancën e duhur e sistemit gjyqësor! Një numër i madh vrasjesh të dokumentuar, 24 raste janë trajtuar me masa sigurie të papërshtatshme!”, theksoi Lleshaj.

Deputeti Lefter Maliqi duke folur në Parlament. Gazeta "Si" 12 shkurt 2020

Por këto shifra u rrëzuan nga Maliqi, i cili theksoi se po vriten njerëz me snajper në mes të ditës, si në rastin e Burrelit, e ende nuk ka ndonjë autor dhe se po merren njerëz peng dhe akoma nuk i është gjetur trupi, duke iu referuar rastit të Jan Prengës. Për deputetin e opozitës ka rënë zbulueshmëria e krimeve, pasi ministria ka goditur policinë kriminale,e  cila ka për qëllim parandalimin e zbulimit të krimeve. “Keni marrë 20 ushtarakë dhe i keni përfshirë në OFL dhe po na bëni shou me Anti KÇK, jeni bërë qesharak, se edhe avokatët ju kanë verifikuar. Personat që ju ndaloni dhe u kërkoni të verifikohet pasuria kanë qenë subjekt i ligjit Antimafia, por ju bëni shou”, tha Maliqi.

Por Lleshaj ndryshe nga ajo që qeveria deklaron se akti normativ lindi si nevojë e urgjencës, theksoi nisma e qeverisë nuk ka lidhje me emergjencës për rendin, por për faktin se ka 30 vite që persona të botës së krimit nuk kanë dhënë llogari për pasuritë krijuara.

Ministri rrëzoi edhe emisionet televizive të Rai 3 për kultivimin e kanabisit. “Në në 2019, 600% më pak kanabis i transportuar drejt Italisë! 800 euro për kg e kanabisit, është rritur çmimi i kanabisit për shkak se është prodhuar më pak! Edhe në Shqipëri ka rritje të çmimeve dhe kjo vjen si rezultat i luftës së rritur nga ana e policisë”, theksoi Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë