Politike

Lleshaj bllof, gazi lotsjellës kundër opozitës u huazua nga Kosova

Shkrimi investigativ i gazetës “Insajder” se gazi lotsjellës që u përdor ndaj protestuesve të opozitës në Tiranë  ishte marrë nga Kosova ka shkaktuar rrëmujë të madhe. Në këtë artikull pretendohej se ishin shkelur rregullat e përdorimit të armëve. Gazeta  shkruan se “për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë”.

Mirëpo, ky rregull sipas Insajder është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’i  huazojë policisë shqiptare ,  500 granata me gaz . Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, është marrë nën presionin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.  Insajder publikon edhe një dokument të  ministrit e Brendshëm të asaj kohe,  Ekrem Mustafa ku i kërkon ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli që të japë lejen për dhënien e 500 granatave të gazit lotsjellës të kërkuara nga Tirana, e kjo për shkak se duhej të pranohej në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy Policive, së Shqipërisë dhe Kosovës.

Gazi lotësjellës i përdorur në protestën e opozitës nga policia përpara selisë së Parlamentit

Policia e Kosovës e pranon dhe “fajëson” dhe Pacollin

Policia e Kosovës e ka pranuar se i ka dërguar 500 granata të gazit lotsjellës dhe kjo faktohet edhe nga shkresa që i ka dërguar kryediplomatit të saj kohe, në 6 qershor të 2019.

Në një reagim për mediat, policia e Kosovës thekson se huazimi i gazit lotsjellës është bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve policore dhe kjo ka marrë aprovimin e dy ministrive kompetente. “Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës”, thuhet një njoftimin për median.

Gazi lotsjellës shpërndan protestuesit para Parlamentit. Gazeta "Si" 11 shkurt 2020

Pacolli e  hedh poshtë: Nuk kam dhënë leje

Në lidhje me këtë qëndrim të Policisë së Kosovës ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. Ai me anë të postimi në rrjetet sociale hedh poshtë që të ketë dhënë pëlqimin për dhënien e sasisë së kërkuar të armatimit luftarak.

“Ministria e Punëve të Jashtme gjatë mandatit tim nuk ka lëshuar asnjëherë leje për transferimin ose shitjen e gazit lotsjellës ose ndonjë pajisje tjetër policore në Shqipëri ose në ndonjë vend tjetër. Ky nuk është roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ata që gënjejnë dhe dezinformojnë publikun gabimisht kanë zgjedhur një çështje që është e rreme si temë”, shprehet Pacolli.

https://www.facebook.com/behgjeti/posts/10162867890705153

Ai e cilëson atë si një shpifje primitive duke shtuar se është e qartë se një keqinformim i tillë motivohet nga dikush që dëshiron të çoroditet politikisht dhe synon vetëm ta dëmtojë emrin tim.

“ Unë do të kërkoj marrjen e masave ligjore kundër të gjithë atyre që gënjejnë, sepse ata duhet të mbahen përgjegjës për fjalët e tyre publike”, shprehet ish-kryediplomati.

Lleshaj ia faturoi Berishës blerjen e gazit

Përdorimi i shpeshtë dhe pa kriter i gazit lotsjellës ndaj protestuesve të opozitës përpara Kryeministrisë apo përpara Parlamentit, duke mos kursyer as liderët e opozitës pati një përplasje të fortë politike në Tiranë. Madje në foto të ndryshme shfaqej sa granatat tymuese që u përdorën kundër opozitës ishin blerë në Serbi dhe në shtete të tjera. Por ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një intervistë televizive i kishte mohuar se ishin blerë nga qeveria Rama dhe se mjetet luftarake ishin blerë më herët që nga koha e Berishës. “Policia ka përdorur ato mjete që i ka në inventarin e saj. Për fat të mirë ai inventar ka qenë ngjatë ditëve që ka qeverisur opozita. Ata e dinë fort mirë edhe markat e gazit të përdorur dhe origjinën e blerjes. Ky gaz është blerë në vitin 2011. Në dijeninë time janë blerë në Izrael. Unë refuzoj të futen në detaje teknike sepse kjo është punë e policisë”, do të deklaronte Lleshaj në intervistën e dhënë në “Debati në Channel One”. Sipas tij ato u blenë pas 21 janarit 2011, protestës së opozitës që mbajti para kryeministrisë ku vdiqën 4 persona.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Gazeta "Si" 11 shkurt 2020

Në protestat eopozitës,  përgjatë disa muajve,  vitin e kaluar, u përdor  disa herë gazi lotsjellës. Në 8 qershor, pati një protestë të opozitës ku u përdor gazi lotsjellës, pikërisht  dy ditë pas shkresës që  Insajder ka zbuluar  lejen e dërgimit të 500 granatave. Në disa qëndrime të tij, krye demokrati Lulzim Basha pati akuzuar ministrin Lleshaj për keqtrajtim të protestuesve të opozitës. “Po i them sot Edi Ramës dhe sejmenit të tij zuzar dhe sadist Sandër Lleshaj se do mbani përgjegjësi para ligjit.” do të deklaronte Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë