Liverpuli i trajnerit Jurgen Klop nuk ka në plan të falë asnjë pikë në Premier League dhe duket se këtë radhë është fiksuar te titulli kampion. Kampionët në fuqi të Europës kanë fituar ndeshjen e shtatë radhazi në kampionat dhe kryesojnë me 21 pikë të plotë. Por këtë herë e kanë “vjedhur” fitoren 2-1 ndaj Leiçesterit me një penallti që ka ngjallur shumë polemika në kohën shtesë. Sadio Mane e kaloi Liverpulin në avantazh, por Madison barazoi për Leiçesterin afër fundit të ndeshjes. Në minutën e 5-të shtesë, Mane fitoi një penallti të diskutueshme, që u shndërrua në gol nga Milner dhe të besuarit e Klop bëjnë kështu edhe mrekullinë e shtatë në kampionat.
Në vend të dytë të kampionatit anglez është Mançester Siti i Guardiolës, që qëndron 5 pikë prapa. Vlen të përmendet për javën e 7-të humbja e thellë e Totenhemit, që pas 7 golave të pësuar nga Bajerni në Champions, ka pësuar edhe 3 nga Brajtoni. Një situatë kritike për skuadrën e Poketinos.
Në Gjermani, dy skuadrat kryesuese, Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund, nuk kanë mundur të fitojnë në javën e 6-të të Bundesligës. Bajerni është mundur në shtëpi nga Hofenheimi, me rezultatin 1-2. Për bavarezët shënoi Levandovski, kurse për mitë shënoi dy herë Adamian. Një humbje e papritur kjo për Bajernin, që gjithsesi mbetet në krye me 14 pikë, i ndjekur nga Lajpcigu me 13 pikë. Borusia Dortmund, që ka 11 pikë në renditje, nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në fushën e Frajburgut të Abrashit, titullar në këtë ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.