Muzike

Liverpuli, qyteti mikpritës i Eurovision 2023

Nga Gazeta Si - Qyteti anglez i Liverpulit u konfirmua mikpritës i Eurovision Song Contest për vitin e ardhshëm.

Shfaqja muzikore ndërkombëtare do të zhvillohet në BM pasi fituesja e këtij viti, Ukraina, u konsiderua e paaftë për ta organizuar për shkak të pushtimit rus.

Qyteti u përball me Glazgoun në balotazhin përfundimtar, pasi një listë prej 20 kandidatësh u zvogëlua nga BBC dhe Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU).Njoftimi u bë nga Graham Norton, i cili drejton mbulimin e BBC, në spektaklin “The One Show”.

Vendi pritës i edicionit të ardhshëm duhet të ishte Ukraina, pas fitores së edicionit të fundit nga grupi ukrainas "Kalush Orchestra".

Por në korrik, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon konkursin, tha se kushtet e sigurisë për të mbajtur Eurovizionin në territorin ukrainas mungonin, për shkak të pushtimit të Rusisë dhe luftës së vazhdueshme.

Prandaj, në vend të Ukrainës u zgjodh Mbretëria e Bashkuar, pasi këngëtari britanik Sam Ryder doli në vendin e dytë në edicionin e kaluar.

Qyteteve aplikante iu kërkua të demonstronin se si do të pasqyronin kulturën, muzikën dhe komunitetet ukrainase, nëse do të organizonin spektaklin në emër të Ukrainës.

Kjo do të jetë hera e nëntë që Britania e Madhe do të organizojë konkursin, më shumë se çdo vend tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë