Futboll

Liverpuli jashtë dhe surprizat Lens e Union Berlin, merr formë Championsi i ri

Gazeta Si – Në Spanjë edhe Real Sociedad me të mëdhatë. Londra rigjen Arsenalin, por humb Çelsin. Njukasëlli si në kohët e Alen Shirer.

Championsi i ri, i pari para reformës që do të sjellë formatin me 36 skuadra dhe një grup, po merr formë. Mes surprizave dhe emrave të mëdhenj të munguar. Nga Italia marrin pjesë Napoli kampion, Inter, Milani dhe Lacio që kthehet pas dy vitesh, kurse Roma shpreson me finalen e Ligës së Europës.

Premier Liga ishte e pamëshirshme me Liverpulin, që e mbylli në vend të 5-të dhe mbeti jashtë Championsit. Rikuperimi i madh i skuadrës së Jurgen Klop nuk solli vendin e 4-t. Mungon ekipi që luajti 3 finale nga 2018-a në 2022-shin, kampion Europe në 2019-ën. Klop gjithsesi do të qëndrojë.

Jurgen Klop do mungoje ne Champions. Gazeta Si, 29 maj 2023

Çelsi kampion në 2021-shin është një shembull i qartë se paratë nuk bëjnë gola. Pronarët e rinj kanë shpenzuar në merkato rreth 700 milionë ero, shkarkuan Tomas Tuhel duke paguar 25 milionë euro për Graham Poter dhe më pas e shkarkuan, për ta mbyllur me Frenk Lampard. Tani do të vijë Mauricio Poketino, që merr një skuadër jashtë Championsit.

Rikthehet në këtë kompeticion Arsenali, pas 6 vitesh, por surpriza më e madhe është Njukasëlli, jashtë prej dy 10-vjeçarësh. Kur fondi i investimeve nga Arabia Saudite e mori këtë klub në 2021-shin ishte e lehtë të mendohej një ngritje e tillë, edhe pse shumë emra të mëdhenj që u tentuan, nuk u afruan. Meritat janë të trajnerit Edie Houi, që e mori ekipin nga zona e rënies dhe për 18 muaj e riktheu në kohët e lavdishme të Alan Shirer.

Tri skuadrat big të Spanjës nuk dështojnë, surprizë është e 4-ta: Real Sociedad ka marrë vendin e Seviljes. Në San Sebastian kanë ditur ta ndërtojë të ardhmen me djemtë e fidanishtes që bëhen kampionë, të tipit Mikel Ojarzabal. Në verë shitën Aleksander Isak për 75 milionë te Njukasëlli. Rreth 40 vjet më parë baskët arritën rezultatin më të mirë në Ligën e Kampionëve, u eliminuan nga Hamburgu në gjysmëfinale.

Pas 23 vitesh, Berlini mund të shijojë Championsin, por jo me Hertën. Me Unionin, klubin që u ngjit në Bundesligë në vitin 2019, por nuk mbeti vetëm skuadër e popullit, me stadiumin në pyll. Unioni u rrit gradualisht, qëndroi fillimisht në Bundesligë, më pas Europa dhe tani Championsi. Për të 5-tin vit radhazi në këtë kompeticion shkojnë edhe Bajerni, Dortmundi dhe Lajpcigu.

Openda, sulmuesi qe ka bere Lensin te fluturoje. Gazeta Si, 29 maj 2023

Në Francë mrekullia quhet Lens, që zuri vendin e dytë, pas PSG-së. Nuk luante në Champions prej 20 vitesh dhe në 2020-ën ishte ende në Ligën 2. Pastaj fluturimi me krahët e Luis Openda, 20 gola në kampionat. Marsejës, Monakosë dje Lionit u kanë mbetur ‘thërrimet’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë