Qielli i Dohas është ngjyrosur me të kuqe dhe festa është e gjitha për Liverpulin, që ngjitet në çatinë e botës pas 120 minutash sfilitëse dhe të mbushura me emocione. Flamengo u tregua një kundërshtar i aftë në finalen e Botërorit të klubeve, duke bërë një figurë shumë të mirë. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop fiton titullin e parë kampion për klubet, pas tri tentativave të dështuara më parë. Liverpuli gjithashtu merr “hak” kundër brazilianëve për finalen e humbur 38 vjet më parë.
Njeriu i fitores për anglezët është një brazilian, Roberto Firmino, autori i golit të vetëm që çoi në parajsë tifozët e Liverpulit në minutën e 9-të të shtesës së parë. Ky është suksesi i katërt radhazi për një klub europian ndaj një kundërshtari nga Amerika e Jugut. Trajneri Klop kishte rikuperuar Van Dijk për këtë finale, ndërsa Jesus i Flamengos i besoi dyshes së 81 golave në sezon. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar. Brazilianët u treguan të zotët, duke e detyruar Liverpulin të bënte një lojë të lexueshme me manovra horizontale sulmuese.

Pa fat Liverpuli në fillim të pjesës së dytë, kur Firmino godet shtyllën. Për Flamengon tenton tri herë Gabigol, por Alison është i vëmendshëm. Minutat e fundit janë dramatike, pasi VAR-i anulon një penallti të dhënë nga arbitri Al-Jassim pas një ndërhyrjeje të Rafinjës ndaj Mane. Kështu, gjithçka shkon në shtesë dhe pas një aksioni të nisur nga Henderson, i cili pason bukur për Mane dhe ky i fundit nxjerr të lirë Firminon, që vepron bukur me topin dhe mposht Rodrigo Kaion, duke i dhënë trofeun e radhës Liverpulit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.