Futboll

Liverpuli është një uragan, shkëputet 16 pikë dhe prek titullin

Mançester Junajtid nuk ka mundur t’i bëjë ballë “uraganit” Liverpul, që tashmë ka vënë njërën dorë te titulli kampion. Janë 21 fitore dhe 1 barazim, një ecuri e jashtëzakonshme për të kuqtë, të cilët e kanë mundur 2-0 Mançesterin, ndoshta më lehtë nga sa mund të ishte menduar para ndeshjes. Liverpulit iu anuluan edhe dy gola në pjesën e parë, i pari për faull ndaj portierit De Gea dhe i dyti për pozicion jashtë loje.

Virxhil Van Dijk në fillim dhe Mohamed Salah në shtesë realizuan golat e fitores për skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, që tashmë është shkëputur 16 pikë nga Mançester Siti i vendit të dytë dhe për më tepër ka edhe një ndeshje më pak. Pas 22 ndeshjesh, skuadra nga “Anfield” ka 64 pikë. Një diferencë e madhe që mund të menaxhohet pa probleme nga Liverpuli në pjesën e mbetur të kampionatit. Titulli i munguar është shumë pranë dhe në Liverpul kanë nisur të mendojnë që tani për festën e madhe.

Nga ana tjetër, Mançester Junajtid pëson humbjen e dytë në tri ndeshjet e fundit dhe aktualisht mban vendin e 5-të, me 34 pikë. “Djajtë” kanë vënë në dyshim serioz pjesëmarrjen në Champions, ndërsa diferenca me Liverpulin ishte mjaft e dukshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë