Si kurrë më parë, Liverpuli “shtyp” gjithçka që i del përpara. Fitoret pasojnë njëra-tjetrën, ekipi triumfon edhe në një mbrëmje që nuk është nga ato më të mirat, edhe kur kundërshtari është i një niveli të lartë. Skuadra e trajnerit Klop shton 3 pikë të tjera në këtë kampionat monstruoz, ku regjistron 22 fitore dhe 1 barazim në 23 ndeshje. Ka një ndeshje më pak se Mançester Siti rival, por 16 pikë më shumë.
Në “Molineux”, ndaj një Volverhemptoni mjaft të fortë, Liverpuli fitoi 1-2, sërish falë një goli të Firminos. Ndaj një prej të paktave skuadra që i vuri në vështirësi, “të kuqtë” e nisën mirë, shënuan me kapitenin Henderson dhe më pas mund të dyfishonin me Salah, i cili kaloi edhe portierin, por u bllokua nga mbrojtësit. Më pas, Volverhemptoni mori kontrollin e lojës dhe Jimenez e Traore e vunë në vështirësi Liverpulin. Klop humbi sulmuesin Mane për shkak dëmtimi dhe në vend të tij futi Minamino.

Pa senegalezin kampionët e Europës hasin më shumë vështirësi. Shifrat barazohen nga Jimenez, pas një krosi të Traore. Portieri Alison bëhet shpëtimtar i kryesuesve, duke evituar gjuajtjet e Traore dhe Jimenez. Liverpuli e kalon këtë moment “errësire” dhe godet kundërshtarin pak minuta para fundit të ndeshjes. Salah vepron bukur në hyrje të zonës, e lë aty topin për Henderson, i cili sheh Firminon të futet në zonë, pason për të dhe braziliani nuk fal. Një gol kompjuterik nga një ekip ireal. Ka drithërima në kohën shtesë, kur Jota tremb “të kuqtë”, por në fund janë gjithmonë ata që festojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.