Politike

PD sqaron reformën zgjedhore dhe “Qeverinë kujdestare” pa Edi Ramën

Partia Demokratike përjashton bashkëqeverisjen mes opozitës së bashkuar dhe Edi Ramës. Selia Blu sqaroi këëtë të enjte më me detaje propozimet e bëra në Këshillin Politik për reformën zgjedhore dhe për “Qeverinë kujdestare”.

“Nuk do të ketë bashkëqeverisje mes PD dhe PS, por do të ketë një qeveri kujdestare, që do të thotë një qeveri neutrale në raport me zgjedhjet, që zbaton detyrimet ligjore dhe standardet e praktikat më të mirë. Ne kemi vetëm një aspekt, se çfarë duhet të bënte një qeveri kujdestare në raport me masat që propozojmë. Në çdo rast kjo nuk është bashkëqeverisje. Një qeveri neutrale që zbaton ligjin, me figura me integritet të lartë dhe në çdo rast jo me Edi Ramën Kryeministër”, deklaroi Rama.

Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj dhe Ivi Kaso dolën për të sqaruar qëndrimin e demokratëve mbi reformën zgjedhore, propozimet e tyre për votimin elektronik, përfshirë edhe masat që sipas opozitës shkëpusin lidhjet e krimit me politikën. Mes këtyre masave është edhe mundësia që korrupsioni zgjedhor, pra shit-blerja e votës të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, pjesë e SPAK-ut.

Demokratët propozojnë një sërë ndryshimesh ligjore, përfshirë këtu Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, që vepra e korrupsionit zgjedhor të kalojë për kompetencë lëndore tek SPAK-u. Përveç kësaj, në propozimin e demokratëve ngarkohen me detyra të posaçme thuajse të gjitha organet e reja të drejtësisë, që nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

“Korrupsioni zgjedhor është përfshirë në 2017 në Kodin Penal, ndërsa dispozita konkrete, që parashikon kompetencën e SPAK është modifikuar në mars 2017, duke lënë jashtë saj në mënyrë të qartë jashtë fokusit të veprimtarisë së këtyre strukturave krimin zgjedhor. Kemi menduar që të amendohet Kodi i Procedurës Penale duke përfshirë edhe veprën penale të korrupsionit zgjedhor”, deklaroi Ivi Kaso.

PD mendon se SPAK ka aftësinë profesionale, mjetet logjistike dhe financiare dhe mbi të gjitha pavarësinë e nevojshme për të hetuar krimet e këtij lloji, ndaj këmbëngulin që krimi zgjedhor të hetohet prej kësaj strukture.

Por, përveç SPAK, propozimi i detajuar i demokratëve kërkon edhe angazhimin e Prokurorisë së Përgjithshme duke ngritur grupe të posaçme që do të monitorojnë dhe vëzhgojnë peridhën para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Më pas, në rastet kur grupet e posaçme të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorive në rrethe të gjejnë shkelje duhet t’ja referojnë ato SPAK-ut.

“Dy javë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm të udhëzojë ngritjen e strukturave të posaçme të prokurorisë, që do të shtrihen në terren dhe do të monitorojnë procesin zgjedhor. Po ashtu, duke patur parasysh pavarësinë e prokurorive në rrethe, drejtuesit e prokurorive në rrethe të ekzekutojnë ngritjen e këtyre njësive të posaçme hetimore kundër krimit zgjedhor”, tha Enkelejd Alibeaj.

Në këtë dalje, ekspertët e PD-së nuk këmbëngulën fort tek votimi dhe numërimi elektronik, por mes propozimeve kanë futur teknologjinë si mjet i domosdoshëm për të mbikëqyrur procesin dhe parandaluar shit-blerjen e votës.

“Në qendrat e votimit të vendosen kamera që vëzhgojnë çfarë ndodh në territorin e shenjtë ku konkretizohet vullneti i qytetarëve. Sistemi i kamerave në qendrat e votimit, të lidhura në qendër dhe të vëzhguara gjatë gjithë kohës nga institucionet ligjzbatuese”, sqaroi Alibeaj.

Sa i takon ambientit përreth qendrës së votimit, në propozimet e PD-së ngarkohet me detyrë Policia e Shtetit që të vendosë dhe ruajë një perimetër të gjerë përreth qendrës së votimit.

“Në proceset elektorale ky është territor i dominuar nga banda, nga krimi dhe nga drejtues të administratës, që rreshtojnë administratën për të votuar sipas frymëzimit të pushtetit. Territori duhet të pastrohet nga banda, nga krimi dhe ku qytetari shkon i lirë për të votuar. Propozimi ynë është që forcat e policisë, në mënyrë distante, të stacionuara aty të krijojnë këtë hapësirë lirie për të votuar jashtë krimit dhe shantazhit shtetëror”, thotë PD.

Por, PD thotë se ka identifikuar që krimi zgjedhor nuk lind as në oborrin e qendrës së votimit dhe as tek vetë qëndra e votimit. Aty ai finalizohet. Për këtë kërkon që kontrolli të shtrihet në kohë para zgjedhjeve në të gjithë territorin.

“Nuk mjafton që kontrolli të ndodhë vetëm ditën e zgjedhjeve. Krimi zgjedhor është ai që fillon shumë muaj më parë. Kemi propozuar jo vetëm ngritjen e strukturave të policisë dhe prokurorisë 2 javë pas caktimit të datës së zgjedhjeve. Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duhet të marrin masa për të ngritur njësi hetimore të posaçme, të shtrira në territor, që do të monitorojnë dhe do të reagojnë në kohë reale ndaj krimit zgjedhor”, deklaroi Alibeaj.

PD propozon ngritjen e një regjistri kombëtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, që do të dokumentojë të gjitha njoftimet, referimet dhe kallëzimet e bëra si nga qytetarët ashtu edhe nga stafet e subjekteve zgjedhore.

Në lidhje me stafet, opozita propozon që të zgjerohet fushëveprimi i ligjit të dekriminalizimit dhe të përfshihen edhe personat që janë pjesë e stafeve elektorale të partive. Këtu, ekspertët e PD-së thonë se morën shkas nga përgjimet e publikuara në dosjen 184.

“Kini parasysh “çunat problematikë”, bandat dhe krimi, të cilët i ngjiten si këpushë subjekteve zgjedhore në fushatë zgjedhore. Do të jenë të detyruar subjektet zgjedhore të deklarojnë cilët janë pjesëtarët dhe anëtarët e stafeve të zgjedhore, të ditur këto edhe për policinë, në mënyrë që veprimtaria e tyre të monitorohet”, tha Alibeaj.

PD propozon edhe konceptin e ndëshkimit në kohë reale, duke nënkuptuar arrestimin në gjendjen e flagrancës të të gjithë personave që kryejnë krime zgjedhore, para dhe në ditën e votimit.

Propozohet gjithashtu që policia, prokuroria, policia gjyqësore të jenë të ngarkuara që në momentin që caktohet data e zgjedhjeve të kryejnë veprimtari të natyrës parandaluese dhe analiza risku.

“Cilat janë familjet e varfra, të cilat janë targeti, fokusi i shitblerjes së votës, cilët janë lëvizjet monetare. Të mos ndodhë që në fushatë zgjedhore, çmimi i euros të bjerë, siç ka ndodhur edhe më parë. Sa herë të ketë sinjale më të imëta të fillimit të veprimtarisë së tillë, të nisë që në atë moment parandalimi dhe ndëshkimi i tyre. E gjitha kjo do të shërbejë si bazë dokumentare për pavlefshmërinë e zgjedhjeve”,thotë PD.

Rolin thelbësor në të gjitha propozimet e opozitës e marrin institucionet e reja të drejtësisë, ndaj të cilave Partia Demokratike ka shprehur jo në pak raste mosbesim dhe akuza. PD nuk e sheh këtë si dhënie besimi për këto institucione, por si testim.

“Është e vërtetë që i kemi anatemuar këto institucione, por ne me këto propozime po i vendosim në test përballë ligjit”, tha Alibeaj.

 

Më Shumë