Politike

Rama i përgjigjet frikës së PD: Nuk mund ta tmerrojmë Lulin që të ndalojmë koalicionet

Kryeministri Edi Rama e dha një përgjigje indirekte për atë që PD i druhet më shumë ndalimit të koalicioneve parazgjedhore. Duke replikuar me Rudina Hajdarin për listat e hapura, Rama tha shumëçka edhe për ndryshimet e dakordësuara për Kodin Zgjedhor, duke nënvizuar se ai projekt ishte i njëanshëm e deri diku edhe zhgënjyes për të.

“…Ne nuk jemi në kushtet që kemi bërë ndonjë martesë, që ta dish se ti e vuan shumë idenë e martesës sime me Lulin. Nuk ka ndodhur, por një  krushqi e kemi, në këtë rast është e vërtetë. Por kemi një krushqi të dyfishtë, edhe me atë edhe me ju, që duhet ta bëjmë për të nxjerrë rezultatin nga salla. Përndryshe ngelemi pa gjë dhe na bie ajo për të cilën të gjithë jemi të interesuar që ka të bëjë me përmbushjen e një kushti që nuk nënkupton konsensus, në kuptimin e vjetër të fjalës, por nënkupton një produkt me standarde që mundësisht të krijojë një klimë më të madhe besimi mes palëve.

Kështu që, nëse ju me thoni që ne duam lista të hapura, ne duam heqjen e koalicioneve dhe ne duam edhe që në komisione PD dhe Basha të mos kenë njerëz, atëherë po me thoni që ta tmerrojmë Lulin nga e para dhe që të mos kemi mundësi të bëjmë asgjë për ta kthyer atë lepurin e madh në formë luani, në një mace që është aty, por që nuk është aq agresive sa ta detyrojë të mendojë se nuk hyn në zgjedhje sepse ky është problemi apo jo, ju e dini”, tha Rama.

Por, Kryeministri ishte në një mendje me Rudina Hajdarin kur tha se populli do lista të hapura.

 “Është e vërtetë opinioni publik sot ka një bindje se listat e hapura janë një zgjidhje e madhe për demokratizimin e përfaqësimit. Është shumë e vërtetë që, listat e mbyllura shihen si kasaforta të mistereve dhe sekreteve. Na takon një diskutim për listat e hapura, arrijmë apo jo të merremi vesh kjo mbetet për tu parë. Por nëse nuk merremi vesh nuk shkojmë dot as te listat e hapura. Se i bie që ne t’u themi atyre që janë jashtë çfarë bëmë me ju nuk vlen më se tani do ta bëjmë me këta…”, shtoi ai

Rama pati një kërkesë të drejtpërdrejtë për opozitën parlamentare. ”Ju duhet të përgatiteni të bëni lëshime dhe nuk mund të shantazhoni me votat”

Një përgjigje e kishte edhe për Partinë Demokratike e cila ka kërkuar që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet seancën tjetër parlamentare. Rama ka edhe pendesa për çfarë ishte shkruar në dokumentin e firmosur me “bekimin” e tij nga Damian Gjiknuri.

“Nuk është nevoja për të vazhduar me provokime, atyre jashtë u them nuk keni asnjë tagër t’i jepni urdhër këtij Kuvendi dhe meqë jemi këtu sot Kryetari i Kuvendit që pashë se i është drejtuar një urdhër nga Sekretari i Përgjithshëm i forcave çlirimtare jashtë Kuvendit, por edhe unë jemi të zhgënjyer nga fjalia e fundit që edhe ju zonja Hajdari e keni firmosur; ku thuhet që Kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje pa asnjë ndryshim e pa kushte.

Unë nuk di të ekzistojë në historinë e planetit në gjithë jetën demokratike ndonjë institucion tjetër veç Gjykatës Kushtetuese që mund t’i diktojë Kuvendit një gjë apo një gjë tjetër. Tani mblidheni ju atje 4 veta në një vend të nderuar patjetër, tokë amerikane, edhe këpusni një firmë atje, kuvendi ta marrë këtë letrën tani e ta votojë,”- tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë