Shteti shqiptar thotë se ka identifikuar deri më tani vetëm 1379 shtetas shqiptarë që për shkak të koronavirusit kanë mbetur të bllokuar jashtë atdheut.
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edi Rama kërkoi nga pjesa tjetër që të vetëidentifikohen përmes platformës “shqipëriaqëduam.al”.
“Janë identifikuar dhe të listuar si rezultat i ankesës së tyre, 1379 shtetas dhe janë 2163 të raportuar. Kush dëgjon dhe ndjek këtë komunikim të identifikohet përmes kanalit të urgjencës që kemi në këtë platformë dhe në MEPJ dhe mos u ankoni për ambasadat se nuk ngrenë telefonin se del i zënë”, tha Rama.
Rama tha se ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që janë bllokuar jashtë vendit. Italia është vendi me më shumë prej tyre, me të cilën Kryeministri deklaroi se janë tejkaluar pengesat dhe nënkuptoi se riatdhesimi është gati.
“Ka një numër të konsiderueshëm të 7431 që ishin para pak, shqetësime dhe kërkesa që vijnë nga ata që janë matanë kufijve pa dëshirën e tyre dhe kërkojnë të kthehen. Pjesa më e madhe janë në Itali. Në Itali kemi pasur një situatë pak më të veçantë. Italia kishte kusht dhe ka kusht për testime për të nxjerrë jashtë të huajt. Kjo është kapërcyer dhe do të përgatisim tërheqjen e atyre që janë në Itali. Në Kroaci janë 341 shqiptarë që do t’u lehtësojmë procedurën dhe mund të vijnë në rrugë automobilistike”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se për këtë çështje po bashkëpunohet ngushtë me zyrën e Presidentit Ilir Meta.
“Zyra e Presidentit është përfshirë në një bashkëpunim intensive me MEPJ dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin që mbulon gjithë përpjekjen në aspektin e bashkërendimin e forcave për të fokusuar resurset tona”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.