Lulzim Basha thotë se mazhoranca po manipulon publikun me vendimin e partive qeverisëse gjermane, duke e shitur si vendim për hapjen e negociatave.
“E vërteta është që kanë autorizuar qeverinë që të miratojë negociatat e anëtarësimit vetëm kur vendi të plotësojë 9 kushte të ndara në dy faza. Për herë të parë kemi një mekanizëm me dy faza, ndërkohë që Maqedonisë së Veriut konferenca e parë do t’i hapë rrugën drejtpërdrejtë kapitujve që do të negociohen”, tha Basha.
Një ditë pas vendimit të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri një bashkëbisedim me gazetarët.
Basha e përshëndeti vendimin e partive qeverisësë në Gjermani për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa thotë se shtimi i kushteve provon se vendi ynë ka bërë hapa pas.
“Ju shpreh mirënjohjen ligjvënësve gjermanë dhe në veçanti partive tona simotra CDU-CSU, të cilat rikonfirmuan vullnetin e tyre për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018”, dekaroi Basha.
Kreu i PD tha se kushtet reflektojnë dështimin e qeverisë, jo të popullit shqiptar.
“Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe proçedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e proçesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër”, vijoi ai.
Basha përsëriti gatishmërinë e tij për të dialoguar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe për t’i dhënë fund krizës. Por, ai nuk sheh të njëjtën gatishmëri tek rivali politik, të cilin e akuzon se në qershor hodhi poshtë propozimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Partia Demokratike dhe unë i kemi thënë PO propozimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë që në datën 9 qershor. Ai që ka refuzuar propozimin për zgjidhjen e krizës, ai që ka refuzuar angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, është Edi Rama, sepse, donte të kapte pushtetin lokal me një proces monist, antikushtetues, siç duket qartë edhe nga provat e publikuara edhe nga raporti i OSBE – ODHIR, kriminal. Sepse për të pushteti i tij, vjen përpara Shqipërisë, vjen përpara shqiptarëve. Ndaj ju lutem nëse ju lejojnë, bëjani këtë pyetje kryeministrit : Përse ka refuzuar ofertën e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës? Sepse, nuk është as Partia Demokratike, as opozita dhe as unë shkaktari dhe fajtori për refuzimin e asaj oferte. Është një dhe një njeri i vetëm dhe ky është Edi Rama”, tha Basha.
Lidhur me reformën zgjedhore, PD u përfaqësua në tryezën e thirrur nga OSBE këtë të mërkurë, ndërkohë që ndaj Bashës vec trysnisë ndërkombëtare për t’u përfshirë në këtë reformë, është rritur edhe presioni i aleatëve më të vegjël të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.