Art dhe Kulture

Elina Duni – Anijet e Humbura, mes nanurisjes së xhazit dhe dhimbjes së emigrimit

Elina Duni – Anijet e Humbura, mes nanurisjes së xhazit dhe dhimbjes së emigrimit
Elina Duni – Anijet e Humbura, mes nanurisjes së xhazit dhe dhimbjes së emigrimit

Anijet e humbura në erë, dikur ishin  bërë prej mishi dhe gjaku. Ato ishin një ai e një ajo. Ato kishin ëndrra, por tani në erë, po bëhen të ftohta...Janë këto vargjet e shkruara nga Elina Duni në këngën Lost Ships, lajtmotivi i albumit më të ri të këngëtares së xhazit.

Vokali i saj sa i butë dhe ëndërrimtar shndërrohet në vaj, ndërsa këndon  “dua të jem një valë, dua t’i liroj ato, dua të jem një peshk, por në det  nuk ka më peshq. Anije të humbura gjithë ç’mund të shoh. Anije të humbura,  mund të ishim unë dhe ti”.

Pianoja e Fred Thomas dridhmon si valët e detit, ndërsa kitara e Rob Luft u jep formë  ëndrrave pre mishi e gjaku dhe zëri i Elina Dunit është vetë dhimbja...Emigrantëve që humbën jetën në Detin Mesdhe, është dedikimi që Luft dhe Duni i bëjnë këngës.

Në një bashkëpunim me kitaristin britanik Rob Luft, Elina Duni prek brigjet e Mesdheut dhe shkon përtej me 12 këngë në albumin e saj më të ri, të titulluar “Lost Ships” (Anijet e Humbura).

Albumi i publikuar më 13 nëntor, me këngë dashurie dhe mërgimi, vjen si fryt i bashkëpunimit trevjeçar i këngëtares shqiptare me kitaristin britanik.

Gjatë rrugës, dyshes i janë shtuar  mysafirë të spikatur si; flugelhornisti zviceran Matthieu Michel, multi-instrumentisti britanik Fred Thomas – i cili në këtë album luan  në piano dhe perkursion – të cilët japin kontribute të konsiderueshme në konceptin kryesor.

Emigrimi, një temë e eksploruar në albumin “Partir, (Nisja) është përsëri një çështje qendrore këtu, por gjithashtu këngëtarja sjell edhe shqetësime ekologjike. Duni është e njohur për përfshirjen në kauza mjedisore si mbrojta e lumit Vjosa – ku me një  grup këngëtarësh të njohur të muzikës xhaz si Eda Zari, Linda Rukaj, Vlashent Sata dhe Shpat Deda, kompozuan pjesën “Lum Lumi i mirë!”. Bashkë me Eda Zarin, katër vjet më parë, organizuan një koncert në mbrojtje të Valbonës, kundër ndërtimit të hidrocentraleve , me moton “Mos ma prek Valbonën!”

Albumi “Lost Ships”, vjen me një larmi burimesh.“Ka këngë që i referohen të kaluarës, me tinguj të nxjerrë nga folklori shqiptar dhe mesdhetar, ende të gjalla sot”, është shprehur këngëtarja në publikimin e albumit ,ndërsa dëshirë e duos ishte që  të eksploronin edhe  rrënjë të  tjera muzikore: baladat e përjetshme të xhazit, chanson-in francez, këngën popullore amerikane… ”,  Këtë të fundit e sjell në album përmes këngës “Wayfaring Stranger”.

https://www.youtube.com/watch?v=f6fNXyoIqAA

Nga pjesët  tradicionale shqiptare si “N’at Zaman” apo “Kur më del në derë”, ku Duni sjell kontraste të nuancuara nga notat e buta dhe romantike tek ato më të gëzueshmet , që të ftojnë në një vallëzim të shpirtit ballkanik, albumi kalon matanë detit me këngën popullore italiane “Bella Ci Dormi”, së cilës ajo i jep vulën e saj, e deri te këngët e famshme të Frank Sinatrës me “I’m a fool to want you” dhe Charles Aznavour  “Hier encore”, që edhe mbyll albumin e Dunit dhe Luft.

Në albumin e regjistruar në jug të  Francës në shkurt të 2020-s,  Duni këndon në katër gjuhë; shqip, anglisht, italisht dhe frëngjisht. Tashmë e njohur për interpretimet në shumë gjuhë, në albumin “Partir” ajo interpretoi në plot nëntë gjuhë.

Fred Thomas, Elina Duni dhe Rob Luft me albumin e ri "Lost Ships"

Albumi ka pjesë origjinale të kompozuara dhe shkruara nga Duni dhe Luft si; “Lost Ships”, “Brighton”, “ Flying Kites”, “Numb”, “Lux” dhe “Empty Streets”, të shkruara nga Duni dhe Luft. Aty ndihet xhazi bashkëkohor, më i shtruar e i lehtë si një fluturim mbi balonë, në qiejt e muzikës që flirton si asnjë tjetër me improvizimin. Ashtu si edhe në albume të tjera si “Matanë Malit”, “Dallëndyshe”, “Muza e Zezë”, “Baresha”, “Aksham” apo “Melancholy”, Elina Duni ka dhuntinë t’i bëjë të vetat këngët, sa të folklorit shqiptar aq edhe të xhazit botëror. “Zëri i Dunit është i jashtëzakonshëm”, e ka cilësuar  Jazz Journal në Britaninë e Madhe, “sepse ndërsa është kristal i qartë në shpalljen e tij shumëgjuhëshe, ai është gjithashtu intim dhe shprehës i tonit”.

Duni e ka parë gjithnjë zërin e saj si një instrument tjetër, duke u lënë hapësirë muzikantëve për të improvizuar e njëherazi vetes për të eksperimentuar.

https://www.youtube.com/watch?v=P25MnG-poPI

“Duni është një botë më vete. Zëri i saj është një nga më të bukurit që mund të dëgjohet për momentin, shkruan kritiku Dick Hovenga në Written in Music për këngëtaren shqiptare, i cili shton se “Ngrohtësia që ajo vendos në tekstet e këngëve, të cilat janë të një natyre personale dhe historive  tragjike të shoqëruara me emigrimin  dhe zhvillimet ekologjike, të kombinuara me një lehtësi të madhe dhe lirshmëri në të kënduar, sjell gjallëri dhe emocionet rrjedhin mirë. Është e mrekullueshme sesi Duni dhe Luft bëjnë muzikë së bashku, ndiejnë njëri-tjetrin pa mundim dhe nga atje arrijnë më larg sesa mund ta imagjinoni”, përfundon kritiku holandez, i cili vlerëson gjithashtu tingujt e kitarës elektronike dhe akustike të Luft dhe aftësinë e tij për të hyrë thellë në shpirtin e folklorit shqiptar e mesdhetar.

Muzika e improvizuar, thotë Elina Duni, është një gjendje shpirtërore xhazi, ndërsa fokusi i saj – edhe me kuartetin me të cilin interpretoi për dhjetë vite – ka qenë tek intensiteti që i nevojitet poezisë e për të marrë prej saj esencën përmes interpretimit muzikor. “Nuk ndiejmë detyrimin për të interpretuar një këngë në të njëjtën mënyrë, dy herë”, do të shprehej dikur Elina Duni.  

E lindur në Tiranë më 1981, Elina Duni bëri hapat e saj të parë në skenë si këngëtare në moshën pesë vjeçare, në festivalet e këngëve për fëmijë në  Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1992, kur ishte vetëm dhjetë vjeç,  ajo u vendos në Gjenevë, ku filloi të studionte piano klasike dhe më pas zbuloi xhazin. Studimet e xhazit në Hochschule der Künste, në Bernë,  çuan në formimin e kuartetit të saj me Colin Vallon, Patrice Moret dhe Norbert Pfammatter, një grup që zgjati për më shumë se 10 vjet. Gërshetimi i këngës popullore ballkanike nga banda dhe improvizimi i tyre në albume, u vlerësuan gjerësisht.

https://www.youtube.com/watch?v=pjE3FaVvA7E

“Ky është një album për çështje bashkëkohore me të cilat përballemi të gjithë ne”, shpjegojnë Duni dhe Luft në një shënim hyrës. Lost Ships është “gjithashtu një album për vendet që kemi qenë dhe kemi dashur”, përfshirë “vendet që nuk ekzistojnë më ose vazhdojnë të ekzistojnë vetëm si një fragment i imagjinatës sonë”, shprehen dy muzikantët. Të premten ata ishin në pjesëmarrës një festival xhazi në Kajro të Egjiptit, ndërsa prej 28 nëntorit  e deri në mars ata do të jenë në turne koncertesh në Zvicër, Itali, Belgjikë, Francë e Gjermani, si edhe për të treguar se muzika i rrëzon të gjitha barrierat.

Do të ëndërroj për një shtëpi ngjyrë blu, këndon Elina Duni në gjuhën angleze, në këngën “Lost Ships”, aty ku toka është qielli...e ku çdo mëngjes do të mbaj vesh pëshpëritjet e detit...Do të zhytem thellë e do ta lë botën pas...Anije të mbytura në erë... mund të ishim unë dhe ti... /S.B


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë