Editorial

Testi i shpejtë, lajmi i mirë që zgjati vetëm 24 orë

Në ditën kur tre anëtarë të Komitetit Teknik vërvitën para mediave protokollin e masave kufizuese, (që nuk ishte asgjë më shumë se një përkthim i masave të marra nga Italia këtu e një muaj më parë), e kur konferenca subjektive për shtyp po zgjatej pa kohë, në veshin e medias, por edhe atyre që po e dëgjonin Live nga rrjetet sociale apo TV, mbeti e stakuar një fjalë e shkurtër e Silva Binos.  

“Sot u aprovua udhëzimi për futjen e testeve të shpejta antigen…”, tha Bino, duke ngritur zërin e duke premtuar se ajo do të servirej falas pranë qendrave shëndetësore dhe spitalet rajonale.

Pas Binos, ia behu me të njëjtën rëndësi për të përcjellë lajmin, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një konference të posaçme për shtyp.

Më shpejtësinë e erës mësuam se futja e testit të shpejtë për kapjen e antigenit identifikon viruset në një kohë shumë të shkurtër, maksimumi për 40 minuta. 

Kuptuam gjithashtu se këto teste po i prodhon kompania Abbot, se testi është 97% i sigurt dhe se ai është më pak i ndjeshëm sesa testet laboratorike PCR.

Pas këtij bombardimi informacioni për t’u njohur me një test të ri se helbete ishte më praktik dhe më i shpejtë në dhënien e përgjigjes, pyetja që ngjalli interes ishte se kur do të vijnë këto teste në Shqipëri sa kohë që udhëzimi ishte miratuar dhe se vete ministra premtoi se janë gati paratë.

Me kaq ngazëllim dhe kaq eufori pse jo dhe shprese që pompuan autoritetet afërmendsh do të ishte që kjo të ndodhte shpejt. Por sa shpejt? Këtu kuti i shëndetësisë me atë të qytetarëve ndryshon.

“Pas 8 apo 10 javësh”, ia behu Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge, në prani të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Pra testi për të cilën 24 orë folën ekspertë epidiomologë dhe vetë ministrja, në Shqipëri vjen sipas të gjitha gjasave nga fillimi i muajit Shkurt.  

Atëherë pyetja tjetër që na lind është; Pse autoritetet shqiptare nxituan të na japin informacion për një test që do na vijë nga Shkurti? Për të kuptuar diçka më shumë për përgjigjen dhe ku jemi ne krahasuar me vendet e tjera, le të shohim se çfarë procedure është ndjekur deri më tash lidhur me testin antigen.

Para se masa e gjerë në Shqipëri të njihej për testin e shpejtë, shumë vende iu drejtuan Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi ajo njoftoi në fund të shtatorit se do të sigurojë 120 milionë teste të shpejta antigeni për njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Prodhuesi më i madh i këtyre testeve, “Abbott Laboratories”, ra dakord të sigurojë 20% të prodhimit për këto vende, pra ato me të ardhura më të ulëta dhe të mesme.

Pjesa e mbetur do të vihej në dispozicion të kombeve më të pasura, disa prej të cilëve po ndihmojnë për të financuar drejtpërdrejt prodhimin e tyre.

Për shembull, Gjermania, SHBA-ja dhe Britania ishin të parat që porositën këtë verë nga 20 milionë testime secila.

Shumica e vendeve europiane po i marrim testet e shpejta të antigenit direkt nga dy firmat më të mëdha që prodhojnë këto teste,  “Roche” dhe “Abbott”.

Ndërsa vetë vendet europiane kanë hyrë në tratativa direkte me kompanitë, për blerjen e testeve të shpejta të antigenit u angazhua edhe Bashkimi Europian, i cili miratoi një muaj më parë një fond prej 100 milion eurosh për të blerë deri në 22 milion teste, për të përmbushur “nevojat e menjëhershme” të vendeve të BE.

Ndërkohë, shumë vende të tjera siç është rasti i Shqipërisë iu drejtuan Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ta kryer këtë procedurë, e cila sa duket do të kërkojë kohë (në rastin tonë) ndërkohë që për vende të tilla si Afrika kjo është zgjidhur që në fillim të muajit tetor.

Sepse ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara apo ato më pak, Shqipëria me gjasë nuk e ka financimin gati për të siguruar këto teste në një kohë më të shpejtë dhe kur vetë kompania Abbot po u jep më shumë prioritet vendeve që po hyjnë në negociata të drejtpërdrejta.

Dhe kur bëhet fjalë për paratë, Shqipëria mbetet pas, tek ato vendet me ardhura të ulëta dhe të mesme, që presin radhën e marrjes së prodhimit 20% të kompanisë Abbot.

Lë të presim… Por të paktën mos të na frynin me kaq shumë informacion autoritetet shqiptare për një test që na vjen në shkurt, atëherë kur vendet e tjera kanë siguruar vaksinën anti-Covid e jo më testin e shpejtë, që e kanë tashmë.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë