Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku në rend të ditës ishte diskutimi dhe shqyrtimi i propozimeve të opozitës parlamentare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dështoi për shkak se vetë opozita parlamentare e bojkotoi këtë mbledhje.
Shkak i bojkotit është bërë përplasja në lidhje me draftin e propozuar nga Partia Demokratike për hapjen e listave dhe koalicionet. Opozita parlamentare u shfaq e joshur nga pjesa e hapjes 100 për qind të listave, propozuar në draftin e PD-së dhe LSI-së dhe i dorëzuar në Këshillin Politik.
Myslim Murrizi, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kërkuan që mbledhja të shtyhej dhe të zhvillohej pas diskutimeve në Këshillin Politik, që pritet të mblidhet ditën e enjte.
“Duhet ta shtyjmë këtë, sepse duhet të rakordohemi me opozitën jashtëparlamentare, kemi nesër një takim në Këshillin Politik dhe do të ishte e udhës të zhvillojmë atë takim dhe pas shqyrtimit të propozimit të opozitës jashtëparlamentare të bëjmë një takim tjetër. Propozimi i opozites jashtëparlamentare prek shume nene të propozimeve sot”, deklaroi Hajdari.
Por, Damian Gjiknuri tha se rendi i ditës në Komisionin e Ligjeve nuk diktohej nga agjenda e Këshillit Politik dhe kërkoi që puna për shqyrtimin e propozimeve të opozitës parlamentare të vazhdojë. Rudina Hajdari e kundërshtoi duke thënë se disa pika të propozimeve të PD-LSI bien ndesh me disa pika të propozuara nga opozita parlamentare.
Ndërkohë, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri u tërhoqën nga një nismë e propozuar në janar të këtij viti për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që kërkon ndryshim të sistemit duke kaluar në proporcional kombëtar. Murrizi argumentoi se vendimi për t’u tërhequr mbërrin pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, që e bëjnë të pamundur miratimin e këtyre propozimeve.
Ai që nuk u tërhoq nga propozimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor ishte Ralf Gjoni, që ka depozituar në Kuvend draftin e Nismës Thurje, për hapjen e listave dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Pavarësisht kësaj ndasie, pas largimit nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve, deputetët e opozitës parlamentare u shfaqën të bashkuar dhe mirëpritën që në Komision të diskutohej drafti i Partisë Demokratike.
“Edhe nga Bashkimi Sovjetik të mbërrijë një draft që hap listat, unë do ta mbështes”, deklaroi deputetit Myslim Murrizi, kur u pyet nëse e mbështet propozimin e Partisë Demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.