Politike

Listat dhe koalicionet kalojnë me 1 tetor, por PD debaton ende për ligjet e “5 qershorit”

Mazhoranca nis të hënën diskutimet në Komisionin e Ligjeve për të reflektuar në Kodin Zgjedhor ndryshimet kushtetuese të miratuara në fund të muajit korrik për  listat dhe koalicionet. Për këtë proces, ndërkombëtarët janë shprehur në një zë se duhet konsensus mes PS dhe  opozitës jashtëparlamentare.

Ata kanë shkuar më tej kur janë shprehur shkoqur pa përdorur gjuhën e “drunjtë”  diplomatike se në këtë proces duhen lëshime nga të dyja palët.

Por ndërsa socialistët e kanë vënë “kufirin tek thana”, duke përcaktuar datën 1 tetor si afatin e fundit për të kaluar në seancë ndryshimet në Kod, demokratët në anën tjetër vijojnë të debatojnë për marrëveshjen e 5 qershorit, pa ndonjë avancim qëndrimi në drejtim të një tjetër debati për ndryshimet kushtetuese.

E kanë bërë këtë gjë edhe me lëvizjen e fundit që bëri PS-ja duke futur në procedurë parlamentare disa drafte pjesë e dakordësuar mes palëve në Këshillin Politik qysh në muajin qershor, por pa ngut për tu kaluar në Kuvend.

Behet fjalë për 7 drafte në bllok; për partitë politike, për Policinë e Shtetit, për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për sinjalizuesit, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale.

“Për gjatë dy muajve asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur Marrëveshjen e 14 janarit dhe atë të 5 qershorit.

Ligjet u miratuan ne korrik në Këshillin Politik si pjesë e Marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehur në sirtaret e Kuvendit. U desh presioni i opozitës në Këshillin Politik ditën e martë dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS t'i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t'i regjistronin sot në Kuvend”, tha Oerd Bylykbashi.

“Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit: t'i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshill”, shtoi ai.

Kaq tha Bylykbashi pa u zgjatur apo komentuar një tjetër zhvillim që lidhet me ndryshimet kushtetuese për të cilat opozita i mbetet qëndrimit të më shumë se një jave se më parë duhet marrë mendimi i OSBE/ODIHR.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë