Kosova

Lista Serbe kërkon nga Beogradi që të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e këtyre strukturave” si “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Në letrën dërguar Qeverisë serbe, që ky subjekt ndau me mediat, thuhet se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti qe dy vjet”.

“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të kërcënuar paqen në këto zona. Po ashtu, ky vendim do të krijonte një bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, thuhet në letrën e Listës Serbe dërguar Qeverisë në Beograd.

Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti ka thënë se këto dy formacione, po ashtu, kanë bërë thirrje për rezistencë e mosbindje, kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta dhe barrikada dhe kanë “rekrutuar dhe trajnuar pjesëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë