Lajme

Hekurudha Tiranë-Durrës, Balluku: Më 21 shtator presim ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin

Gara për projektin e ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka hyrë në fazën finale.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se më datë 21 shtator priten ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin.
“Bisedova me Matteo Colangeli, Drejtorin e BERZH për Shqipërinë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka qenë partneri ynë që në nisje të këtij projekti. Në fokusin e bisedës sonë pa dyshim ishin dhe hapat e mëtejshëm për projektet ambicioze në krijimin e një rrjeti modern hekurudhor”, theksoi ministrja.

Ministrja Belinda Balluku dhe Drejtori i BERZH për Shqipërinë, Matteo Colangeli

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një nga projektet strategjike të qeverisë shqiptare. Segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin e Rinasit është tashmë pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë.
Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde të BE/ËBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) projekte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit “Nënë Tereza” nëpërmjet përdorimit të trenit që do të konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes. Projekti synon të realizojë me efektivitet multi-modalitetin e sistemit të transportit ne zonën metropolitane Tiranë-Durrës.
Objektivat kryesore në drejtim të rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në Terminalin e Transportit Publik të Tiranës (PTT) për një gjatësi 34.2 km dhe gjithashtu për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit (gjatësi 5.7 km). Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një terminali të ri hekurudhor inter-modal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas. /ATA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë