Art dhe Kulture

Linda Rukaj – Një botë çudirash për të bërë muzikë

Linda Rukaj në Zà Fest. Foto: Blerta Kambo

Nga Suadela Balliu - “Kjo botë ka qenë dhe vazhdon të jetë botë çudirash...”, thotë Linda Rukaj, e cila vite të shkuar zgjodhi të prezantohej për audiencat e festivaleve muzikorë si ‘Linda në Botën e Çudirave’. Një botë që do e zhvendoste në koordinata fizike drejt Parisit, ku jeton prej shtatë vitesh.

“Sa më shumë kalon koha, aq më shume e ndjej se si Parisi bëhet pjesë e pandashme e imja, ashtu sikurse Tirana.” – përgjigjet kantautorja, pak ditë pasi këndoi dhe luajti muzikë në sheshin e kishës së Thethit, lart në alpe, me rastin e edicionit të dytë të festivalit “Zà Fest” , ku ishte e ftuar speciale bashkë me artistë të tjerë të njohur si Andrra, Vlashent Sata, grupi “Oborri” , duoja Hasa-Mazotta dhe aktorja Ema Andrea.

Linda Rukaj dhe Ema Andrea, në Theth.

“Më pëlqen fakti që kam dy vende dhe dy malle, ku mund të ekuilibroj jetën, dashuritë dhe frymëzimet e mia.”, vijon Linda duke zbuluar se vizita këtë vit në Shqipëri ishte e shkurtër dhe ekskluzive për festivalin ku qe e ftuar.

Kitariste, kontrabasiste dhe përfaqësuese e muzikës xhaz, ajo së bashku me kitaristin e saj nga Parisi, Charles Lamouroux luajti për të pranishmit që e ndoqën në Theth muzikë të repertorit folklorik shqiptar riarranazhuar në xhaz. Herën e parë në këtë atraksion natyror në veri të vendit ishte vitin e kaluar për pushime.

Linda Rukaj dhe  kitaristi nga Parisi, Charles Lamouroux

“E lumtur që mora pjesë në një organizim të tillë, që i kushtohet dashurisë për natyrën dhe muzikën. Mendoj se lidhja e njeriut me natyrën ka qenë dhe do të jetë gjithnjë tepër vitale, e pandashme, e domosdoshme dhe çliruese. Në natyrë ndodhet frymëzimi i vetë jetës.” – vijon ajo.

Nuk është hera e parë që Linda Rukaj merr pjesë në organizime të tilla që bëjnë bashkë muzikën dhe dashurinë për natyrën. Dy vjet më parë, në tetor të 2016-ës do të luante muzikë në koncertin- protestë “Mos ma prek Valbonën” së bashku me dy këngëtaret e xhazit, Eda Zari dhe Elina Duni, në ajër të hapur në luginën e Valbonës dhe një vit më vonë, në tetor të 2017-ës,  me të njëjtët artistë do të performonte në një tjetër koncert të ngjashëm nën moton “Mos ma prek Vjosën” – nisma këto për të shprehur kundërshtinë kundër vendimeve qeveritare  për të ndërtuar hidrocentrale, që do të sillnin shkatërrimin e bukurive natyrore, tharjen e dy lumenjve – në veri dhe jug të vendit – dhe prishjen e ekuilibrave në ekosistem.

Nga koncerti-protestë "Mos ma prek Vjosën", Foto:Ivana Dervishi

“Ishte shumë prekës fakti që në këtë çështje ishin përfshirë kaq shumë njerëz, të cilët besojnë në natyrën e lirë dhe që bënë të pamundurën për të fituar kauzën. Në të dy koncertet kam përjetuar ndjesi të forta, duke luajtur muzikë dhe duke kënduar që lumenjtë të na dëgjonin se nuk ishin vetëm.” – kujton Linda.

Jo vetëm për muzikantët, por sipas saj, njeriu i cilitdo profesion e ka të pamundur të jetojë pa natyrën. “Jemi ne që kemi nevojë për te, jo ajo për ne! Natyra dhe planeti Tokë, në të cilin jetojmë, është e vetmja shtëpi që kemi për momentin, prandaj nuk ka sesi të jemi indiferentë dhe të pandjeshëm kur na cenohet shtëpia.”

Pas tri ditëve festival, u rikthye në Paris, ndërsa çon përpara projektet muzikore. “Në Paris merrem vetëm me muzikë. Kam shumë projekte, të cilët po mundohem t’i ndërtoj njëherazi dhe projekte të tjerë më afatgjatë.” – rrëfen ajo nga Parisi, ndërsa shton se këto kohë i është kushtuar albumit të ri, të cilin shpreson ta publikojë në fund të këtij viti dhe ka gati punimet për një ekspozitë me piktura dhe vizatime, e cila do të jetë e para për të.

Foto:Fahredin Spahija

Si kantautore dhe multi-instrumentiste, Linda Rukaj e ka të lehtë të bëjë kapërcime të mëdha në muzikë, nga ajo klasike deri te improvizimet xhaz. Një kërkim artistik i shtigjeve të rinj për t’u shprehur në mënyrë origjinale dhe unike në një treg të madh muzikor. “Mendoj se, çdokush - pavarësisht profesionin apo pasionit - duhet të kërkojë për shtigje të rinj, për ta bërë jetën më interesante. Ka kaq shumë gjëra për të bërë e për të mësuar, jo vetëm në muzikë!”

Në vitin 2011, Linda Rukaj publikoi edhe albumin e sa të parë muzikor, titulluar “Jam”, konceptuar dhe realizuar i gjithi prej saj, jo vetëm këngët por edhe kopertina – një fetus, brenda një mitre që ngjan si një llambë, (ose si një kondom), i gjakosur. Ilustrim që të sjell ndërmend stilin e piktores së famshme meksikane, Frida Kahlo. Album, të cilin rrëfen Linda, e krijoi disa muaj përpara se të largohej për të jetuar dhe studiuar xhaz, në Paris. “Në atë periudhë, Shqipëria po kalonte një fazë të vështirë sociale, që më bëri shumë të ndjeshme dhe më frymëzoi të kompozoja këto këngë.”

E ka nisur rrugëtimin me muzikën në moshën pesë vjeçare, ndërsa merrte pjesë në shfaqje televizive dhe koncerte për fëmijë. Më vonë do të zbulonte pasionin për kitarën. Rrëfen se ka pesëmbëdhjetë vjet që luan dhe i është shndërruar në “shok jete”. “Asaj ia tregoj të gjitha ndjenjat dhe ajo më njeh mirë.”- thotë Linda, e cila pesë vjet të shkuar vendosi të përqafojë një instrument të ri, kontrabasin, por pa e tradhtuar kitarën.I sheh si dy njerëz dy instrumente e saj, të ngjashëm në disa tipare e të ndryshëm në të tjera.

“I shoh si dy personazhe krejt të ndryshëm në jetën time, të cilët më kanë mësuar shumë gjëra në lidhje me muzikën, dinamikën, trupin tim në bashkëveprim me trupat e tyre dhe në lëvizjet e trupit tim në lidhje me jetën time si medium shumë i rëndësishëm për të ekuilibruar gjithçka.”Në Paris, drejt të cilit udhëtoi fillimisht për të studiuar xhaz, nuk i është larguar këngëve shqip.

https://www.youtube.com/watch?v=e4d6Vpo964Q

“Repertori im gjithnjë ka përfshirë këngë shqip. Që e vogël, mami më ka rritur me këto këngë, sidomos të Shqipërisë së Mesme, duke i kënduar nëpër shtëpi edhe sot.” –rrëfen Linda. Pak kohë më parë ka publikuar në profilin e saj të Facebook-ut, një version të ri të këngës “Fustanin që ta solla mbrëmë”, një prej të parapëlqyerave prej saj, kënduar nga Parashqevi Simaku. “Nëse do kem fatin ta takoj një ditë, do ia puth duart.” –thotë ajo, duke e cilësuar Simakun si ndër të paktat këngëtare shqiptare që përcillte sensualitet dhe erotizëm, teksa këndonte këto këngë. “Ajo ka qenë një ndër arsyet pse nisa të këndoj qysh në moshën pesë vjeçare.”

Kur e la Shqipërinë për të ndjekur ëndrrat në atë që njihet si kryeqytet i të gjitha arteve, nuk mund t’i shpëtonte mallit për shtëpinë dhe fëmijërinë. “Ky mall me pas m’u shfaq në muzike, me dëshirën e çmendur për t’i rimarrë disa nga këngët e folklorit shqiptar dhe për t’i kënduar e luajtur në kitarë, në vetmi apo në çdo festë dhe mbrëmje mes miqsh.”Këngët e thërrisnin dhe ajo rendte drejt tyre për t’i luajtur dhe përzier me gjendjen shpirtërore dhe mësimet e xhazit, improvizimet e atypëratyshme i bënin edhe më të gjalla.

“Sikur lehtësohesha e çlirohesha nga një ndjenjë e zjarrtë e përvëluese në stomak, sa herë që i këndoja dhe i luaja.”Prej asaj kohe janë bërë plot shtatë vite që Linda Rukaj i kushtohet kërkimit të materialeve muzikore të folklorit shqip, duke i riarranzhuar, ndërsa zbulon se së shpejti do të sjellë në jetë versionet e saj të këtyre këngëve. Gjithashtu dy vjet më parë ajo vendosi të kthehej në Tiranë për të kënduar në edicionin e 55-të të Festivalit të Këngë në RTSh, me këngën “Vija e lumit”.

Sapo ka sjellë për ndjekësit e saj në rrjetet sociale, këngën “Mallëngjimi”, kënduar në vitet ’70, nga këngëtari  i njohur i Prishtinës, Muharrem Qena.

https://www.youtube.com/watch?v=0U5a78q-p0E

Mbase largësia, fakti që ndodhet në një qytet dinamik dhe romantik, siç e cilëson ajo Parisin, e bën t’i kërkojë rrënjët edhe me thellë, për t’i dhënë audiencës ofertën e saj origjinale në muzikë. “Te Parisi më intereson pjesa romantike që nuk është shumë e sheqerosur; ajo romantikja rebele dhe e palodhur. Mendoj se, pavarësisht nga vjen, ky qytet mund të të japë apo të të mësojë diçka me vlerë mbi jetën.”Hapësirat për të shprehur artin tënd, thotë në përfundim të bisedës Linda, janë të shumta dhe ka gjithmonë njerëz, të hapur për të të dëgjuar dhe mbështetur...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë