Futboll

Lind BeNeLiga, Belgjika dhe Holanda me një kampionat!

Pro League (kampionati elitar në Belgjikë) dhe Eredivisie (kampionati elitar në Holandë) mund të shkrihen në një kampionat të vetëm me 18 skuadra pjesëmarrëse. Duket një çmenduri, por, siç shpjegon presidenti i Bryzhit, projekti tashmë ka avancuar dhe që sezonin e ri, ose maksimumi në 2021-shin, do të lindë një ligë e re.

Deri tani janë 5 kampionatet më të fortë në Europë dhe konkretisht ai anglez, spanjoll, italian, gjerman dhe francez. Kampionatet e tjerë janë nën hijen e tyre dhe në Belgjikë e Holandë janë prej kohësh në kërkim të një mënyre për të bërë një hap përpara në rritjen e nivelit. Janë dy kampionate që nuk duan të mbeten sërish të dorës së dytë, edhe pse kombëtaret i kanë të mbushura me talente. Bart Verhaeghe, presidenti i Bryzhit, ka shpjeguar për “Le Monde” se ka vetëm një mundësi: të krijohet BeNeLiga. I njëjti emër që mban edhe kampionati i hokeit në akull, i krijuar në vitin 2015 nga Belgjika dhe Holanda.

Logoja e BeNeLigës,kampioantit të përbashkët mes Belgjikës dhe Holandës. Gazeta Si, 24 tetor 2019

“Po mundohemi të krijojmë nj turne të përbashkët me Holandën për të eliminuar diferencën me 5 kampionatet më të forta në Europë. Futbolli belg është rizgjuar, është bërë mjaft modern dhe kemi një publik potencial prej 28 milionë njerëzish. Do të kemi një tjetër takim për këtë çështje brenda javës. Mund të ndodhë gjithçka shumë shpejt dhe nëse nuk finalizohet për sezonin e ri, për atë të 2021-shit me siguri do të jetë zyrtarizuar”, - ka shpjeguar Verhaeghe.

Një “rrufe në qiell të hapur”, që mund të prishë raportet mes kampionateve europiane dhe që mund t’i ndryshojë totalisht fytyrën futbollit në atë zonë. Tashmë janë zbuluar edhe disa detaje. BeNeLiga do të jetë një kampionat me 18 skuadra, 8 nga Belgjika dhe 10 nga Holanda. Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me kampionatet e vjetra të secilit vend dhe se si do të hyjnë dhe dalin skuadrat në të sapolindurën BeNeLiga. “Ajo që ka më shumë vlerë për momentin është që po punojmë dhe nuk duam të kemi një afat kohor detyrimisht. Kontrata për të drejtat televizive në Belgjikë thuajse ka përfunduar, kurse në Holandë jo, kështu që duhet ta vlerësojmë këtë pikë. Objektivi është që ta përshpejtojmë reformën e futbollit europian”, ka shtuar presidenti i Bryzhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë