Politike

Ligjet miratojnë Aktin Normativ, Manja: Ky është Antimafia plus

Socialistët miratuan me shumicë votash Aktin Normativ në komisionit parlamentar të Ligjeve, duke pasur 1 votë kundër dhe dy votat abstenuese të opozitës. Akti normativ është mbrojtur nga ana e zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda, si dhe nga drejtori i Kodifikimit në ministrinë e Drejtësisë, Besmir Beja.
Opozita u shpreh skeptike në lidhje me këtë akt normativ, pasi bien ndesh me të drejtave e njeriut dhe u merr kompetencat e organeve të reja të sistemit të drejtësisë që dolën nga zbatimi i reformës në drejtësi.
Deputeti i opozitës, Adriatik Alimadhi duke ia drejtuar disa pyetje zv.ministres Voda theksoi se kjo nismë bie ndesh me liritë e të drejtat e njeriut, pasi nuk mund të gjykohen për të dytën herë për të njëjtën çështje njerëzit që janë dënuar më parë. Gjithashtu Alimadhi theksoi se neni i 7 Kushtetutës parashikon ndarjen e pushteteve.

Deputetet, Adriatik Alimadhi, Korab Lita, gjate një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Gazeta Si, 24 shkurt 2020

“Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”, thuhet në ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Ndërhyrja te kompetenca e gjyqësorit, duke bërë pjesë prokurorinë e posaçme, SPAK të strukturës së Komitetit që është në varësi të ministrit të Brendshëm, u cilësua nga deputeti Korab Lita si kthim në pikën zero të reformës në drejtësi.
Por, zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se në asnjë rast nuk kemi ndërhyrje të kompetencave dhe se prokuroria dhe gjykatat janë ata që e thonë fjalën e fundit. Sipas saj, komiteti nuk merr vendime, por nxit ndërveprimin ndërinstitucional. Relatori i kësaj nismje, socialisti Adnor Shameti e cilësoi të drejtë aktin në përputhje me Kushtetutën, pasi ai merret në kushtet e urgjencës. “OFL shërben si iniciues, në vetme kjo strukturë në varësi të Drejtorisë së Policisë nuk kryen veprimtari incizuese penale, por është me karakter ekonomik me sekuestrimin e pasurive të krimit”, tha Shameti.

Deputeti i PS dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Gazeta Si,shkurt 2020


Ndërsa kryekomisioneri Ulsi Manja, u shpreh se nisma më e fundit e qeverisë mund të cilësohet si një Antimafia plus dhe se akti nuk bie ndesh me ligjet e tjera, që u miratuan nga kjo mazhoranca e që u deklaruan me bujë që do të shpartallojnë krimin e organizuar. Manja u shpreh se nuk mjaftuan ligjet aktuale si paketë antimafia dhe arsye tjetër që u paraqit ky Akt, ishte nga abuzimet që kanë kryer gjyqtarët dhe prokurorët me vendimet e tyre në luftën krimit të organizuar. Përfaqësuesi i ministrisë së Drejtësisë, Beja theksoi se kjo nismë është konsultuar me misionet si EURALIUS dhe PAMECA dhe se ajo nuk bie ndesh me liritë dhe të drejtat e njeriut, pasi do të jetë gjykata që do të japë një vendim final. Akti normativ u miratua nga qeveria më 31 janar dhe se Parlamenti duhet ta miratojë brenda 45 ditëve, në të kundërt ai e humb fuqinë e tij.

Nga opozita deputeti Alimadhi votoi kundër, ndërsa Lita dhe Zeneli abstenuan me votën e tyre. Në mbledhjen e komisionit u kalua dhe nisma tjetër e qeverisë për Sekuestrimin e aseteve dhe pronave të paluajtshme të krijuara nga krimi i organizuar. Agjencia e posaçme kalon në varësi të ministrisë së Brendshme, duke ia hequr varësinë nga ministria e Financave dhe se pronat mund të shiten pa pritur vendimin e gjykatës. Në mbledhjen e komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Alket Hyseni u shpreh se miratimi i këtij ligji ka vlerë për mazhorancën, pasi pikërisht sot në këtë ditë, nëntë vite më parë, u vra kryekomisar Dritan Lamaj në Tiranë. Për këtë deputeti socialist kërkoi mbajtjen e një minutë heshtje nga komisioni i ligjeve, gjë që u pranua nga kryekomisioneri Manja. Tashmë akti normativ duhet të miratohet në seancën e ardhshme parlamentare, pasi afati për t’u miratuar është 20 marsi. Me miratimin e këtij akti normativ nga Parlamenti, të gjitha veprimet e ndërmarra kanë fuqi ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë