Lajme

Qeveria ligj unik investimesh: Mbrojtje e barabartë për vendasit e të huajt

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë po punon për hartimin e një ligji të unifikuar për investimet, duke përfshirë në një draft të vetëm të gjitha të drejtat, mbrojtjen dhe detyrimet si për sipërmarrësit e huaj, ashtu edhe për ata vendas.

Aktualisht, me legjislacionin në fuqi, investitorët e huaj mbrohen më fort nga shteti përmes ligjit për “Investimet e huaja”. Ligji në fjalë është miratuar që në vitin 1993, por përgjatë viteve u është nënshtruar disa ndryshimeve, që në fokus kanë patur gjithmonë forcimin e mbrojtjes shtetërore ndaj investitorëve të huaj.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë dhe raportet vendore e ndërkombëtare kanë renditur vazhdimisht çështjet e pronësisë dhe pasigurinë juridike të titujve të pronësisë si një prej faktorëve më me ndikim negativ në tërheqjen e investimeve të huaja.

Qeveria thotë se unifikimi në një ligj të vetëm do të garantojë mbrojtje të barabartë si për investitorët e huaj, ashtu edhe për ata shqiptarë. Projekti synohet që të miratohet përgjatë vitit të ardhshëm.

Por, deri atëherë, në Kuvend Qeveria ka dorëzuar projektligjin për disa ndryshime në ligjin për “Investimet e huaja”. Ndryshimet janë vetëm teknikalitete dhe zgjatin afatet kohore të mbrojtjes që shteti shqiptar u ofron sipërmarrësve të huaj në çështjet e pronësisë deri më 31 dhjetor të 2019.

Shteti shqiptar u ka ofruar investitorëve të huaj mbrojtje të posaçme shtetërore për ato situata që shfaqin pasiguri juridike për ta. Mbrojtja parashikon zëvendësimin me të drejta të plota të investitorëve të huaj nga ana e shtetit shqiptar në një konflikt me palë të treta. Nevoja për mbrojtje është shtuar edhe më shumë vitet e fundit edhe për shkak të reformës në drejtësi dhe gjendjes në të cilën ndodhet sot sistemi i drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë