Futboll

Liga i kërkon ndihmë financiare Ramës për 10 klubet e Superiores

Pasojat e Koronavirusit pritet të kenë pasoja te klubet e futbollit në gjithë botën, sigurisht edhe në Shqipëri. Më shumë se për shkak të të ardhurave nga shitja e biletave apo e drejta televizive, në rastin e futbollit shqiptar pasojat vijnë nga fakti se bizneset e presidentëve të klubeve tona janë paralizuar dhe nuk prodhojnë më para. Në këto kushte, presidentët apo sponsorët, që drejtojnë dhe financojnë pjesën më të madhe të skuadrave kanë vështirësi, ndaj dhe i kërkojnë ndihmë qeverisë.

I kërkojnë ndihmë qeverisë me anë të Ligës që në skemën e kompensimit të futë edhe klubet e futbollit. Liga, me një letër të firmosur nga presidenti i saj Edvin Libohova, kërkon që nga skema e kompensimit të fitojnë diçka edhe 10 skuadrat e Superiores, që janë pjesëtare të saj. “Si rezultat i pezullimit të aktivitetit, 10 klubet anëtare të Ligës kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm financiar, i cili konsiston në zvogëlimin e të ardhurave nga reklamat, sponsorizimet dhe shitja e biletave dhe për pasojë ka krijuar një vështirësi në pagimin e sportistëve dhe stafit teknik. Në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj përfshirjen e 10 klubeve anëtare të Ligës Profesioniste të Futbollit si subjekte që do të kompensohen me vendimi të Këshillit të Ministrave për dëmet e shkaktuara nga Koronavirusi”, – shkruhet në letrën e Ligës drejtuar kryeministrit Rama.

Kërkesa e Ligës drejtuar kryeministrit Rama. Gazeta Si, 28 mars 2020

Presidenti Libohova ka sqaruar se pjesa më e madhe e klubeve financohet nga bizneset e aksionerëve dhe nga sponsorët që mbështesin. Sipas tij, në këtë situatë është normale të kërkohet ndihmë. “Jemi në situatën ku pjesa më e madhe e klubeve kanë nevojë për mbështetje financiare të paktën për të përballuar detyrimet ndaj lojtarëve dhe stafit teknik, – thotë Libohova, – ndaj i kemi dërguar një kërkesë kryeministrit, që klubet e Superiores të futen në listën e bizneseve që po mbështeten nga qeveria në këtë periudhë. Një klub shpenzon për të mbajtur një ekip në Superiore nga 500 mijë euro deri në 1 milion euro”.

Në kërkesën e Ligës përfshihen vetëm klubet e Superiores, që në futbollin tonë kanë edhe buxhetin më të madh. Po kategoritë e tjera, e Para dhe e Dyta, që përfshihen në futbollin profesionist? Sigurisht, do ta kenë edhe më të vështirë. Dhe bëhet fjalë për qytete të mëdha të Shqipërisë, për shembull Elbasani, Lushnja, Fieri, Kavaja, Lezha etj. Disa klube financohen nga bashkitë, që në kushtet aktuale nuk e kanë aspak mendjen te futbolli, të tjerët edhe në kushte normale mezi arrijnë të mbijetojnë dhe në situatën aktuale mund të quhen “të mbaruar”.

Më Shumë