Futboll

Liga e Konferencës/ Tirana luan gjithçka në Gjeorgji, Vllaznia për përmbysjen

Gazeta Si – Mbrëmja e sotme është e mbushur me emocione europiane për futbolldashësit shqiptarë dhe veçanërisht për tifozët e Tiranës, Egnatias dhe Vllaznisë. Këto tri skuadra luajnë ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës. Synimi është kualifikimi dhe secila skuadër ka shanset e veta, kush më shumë dhe kush më pak.

Tirana zbret e para në fushë, në Gjeorgji. Sfida e parë me Dinamo Batumi përfundoi 1-1, me atë gol të Lushkjas në fundin e ndeshjes në ‘Air Albania’. Nuk do të jetë e lehtë për skuadrën e Shehit, sepse kundërshtari tregoi nivel të lartë në 90-minutëshin e parë. Megjithatë, futbolli është i paparashikueshëm dhe në kampin bardheblu ka besim për të shkuar më tej.

Egnatia është skuadra shqiptare me më shumë mundësi kualifikimi. Rrogozhinasit e dominuan ndeshjen e parë në Armeni, ku barazuan 1-1 me Ararat. Sot duhet të shfrytëzojnë më mirë rastet për shënim, për të arritur një kualifikim historik në këtë aventurë të parë europiane.

Më të vështirë e ka Vllaznia, që duhet të përmbysë humbjen 3-1 të ndeshjes së parë ndaj irlandezëve të Linfild. Shkodranëve u duhet të fitojnë me 2 gola diferencë në ‘Loro Boriçi’ të paktën për ta çuar kualifikimin në shtesë. Një mision mjaft i vështirë, por jo i pamundur.

Ndeshjet e sotme në Ligën e Konferencës
Dinamo Batumi-Tirana 19:00 (1-1)
Egnatia-Ararat 20:00 (1-1)
Vllaznia-Linfild 20:45 (1-3)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë