Futboll

Liga e Europës/ Xhaka i jep leksion Bledar Kolës, feston dhe Kamberi

Janë dy futbollistët e Kombëtares që vazhdojnë aventurën me klubet e tyre në Ligën e Europës, që mbrëmjen e djeshme luajti ndeshjet e para të fazës së 1/16-ave. Taulant Xhaka dhe Florian Kamberi kanë festuar në fund, sepse si Bazeli, ashtu edhe Gllasgou Rejnxhërs, kanë fituar, duke hedhur një hap drejt kualifikimit, sidomos skuadra e mesfushorit kuqezi.

Bledar Kola në sfond, në stolin e Apoelit. Gazeta Si, 21 shkurt 2020

Taulant Xhaka ishte titullar në fitoren 0-3 të Bazelit në fushën e Apoel Nikosias, që drejtohej nga trajneri shqiptar, Bledar Kola. Ish-futbollisti i Kombëtares në fakt ka shkuar si ndihmës i trajnerit Uzunidhis tek ekipi i madh qipriot, por dje Apoeli u drejtua prej tij. Bazeli tregoi forcën e tij në Qipro, duke bërë diferencën me 3 gola të shënuar. Një leksion për qipriotët dhe Bledar Kolën, që thuajse i kanë mbyllur llogaritë me Ligën e Europës pas kësaj humbjeje të thellë.

Taulant Xhaka në një dyluftim gjatë ndeshjes ndaj Apoelit. Gazeta Si, 21 shkurt 2020

Ka festuar edhe sulmuesi Florian kamberi, i cili luajti pak më shumë se 20 minuta në ndeshjen mes Gllasgou Rejnxhërs dhe Bragës. Festa ishte e madhe, sepse skocezët përmbysën rezultatin nga 0-2 në favor të portugezëve në 3-2. Dy nga tre golat e fitores u shënuan në fundin e ndeshjes, me Florian Kamberin në fushë.

https://youtu.be/mZLFiqz40bw
Golat e fitores 3-2 të Gllasgou Rejnxhërsit ndaj Bragës. Gazeta Si, 21 shkurt 2020

Nga skuadrat e mëdha që marrin pjesë në këtë kompeticion, Interi ka fituar pa probleme në Bullgari, 0-2, kurse Arsenali mundi Olimpiakosin në Greqi, 0-1. Duhet përmendur barazimi i Mançester Junajtid, 1-1 në fushën e Bryzhit, si dhe humbja e Ajaksit 2-0 në fushën e Getafes. Fitoret më bindëse janë ato të Eintraht Frankfurtit, 4-1 ndaj Salcburgut dhe Volverhemptonit 4-0 ndaj Espanjolit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë