Futboll

Liga e Europës/ Kundërshtar bullgar për Interin, qipriot për Xhakën

Në Nion është hedhur sot edhe shorti i Ligës së Europës, ku skuadrat e mëdha kanë evituar përplasjet mes tyre në fazën e 1/16-ve. Interi, i “rënë” nga Champions League, ndeshet me beullgarët e Ludogorets, një skuadër modeste, me mbrojtjen më të dobët në këtë kompeticion. Roma përballet me belgët e Gent dhe i shpëton kështu Mançester Junajtid, Ajaksit apo edhe Seviljes.

Ndeshjet e para luhen më 20 shkurt, kurse ato të kthimit më 27 shkurt. Mançester Junajtid, një nga skuadrat më me emër të kompeticionit, do të përballet me belgët e Klub Bryzhit, Arsenali me grekët e Olimpiakosit, kurse Ajaksi me Getafen. Një nga sfidat më interesante të këtij turi në Ligën e Europës është ajo mes Bajer Leverkusenit dhe Portos.

Shorti i Ligës së Europës. Gazeta Si, 16 dhjetor 2019

Bazeli i Taulant Xhakës ka qenë me fat në short, pasi do të ndeshet me qipriotët e Apoel Nikosias. Pas ndeshjeve në grup të Championsit dhe Ligës së Europës, Taulant Xhaka, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj janë lojtarët e vetëm të Kombëtares që vazhdojnë garën aktualisht me klubet e tyre. Në Ligën e Europës vazhdon edhe Gllasgou Rejnxhërs, por Eros Grezda ka kohë që nuk është pjesë e ekipit të parë, gjithashtu edhe e Kombëtares në ndeshjet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë