Futboll

Liga e Europës/ Juventusi në gjysmëfinale, Sevilja nxjerr jashtë Mançesterin e gafave

Gazeta Si – Juventusi, pas rikthimit të përkohshëm të 15 pikëve në kampionat, ka festuar mbrëmjen e sotme edhe kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Europës. Një kualifikim mes drithërimash, pas barazimit 1-1 në Portugali ndaj Sportingut.

Në ‘Stadio Alvalade’, Rabiot kaloi italianët në avantazh, por portugezët barazuan shpejt me një penallti të realizuar nga Eduards. Ishte një kualifikim me emocione. Vlahoviç humbi dy raste, ndërsa në fund Sportingu pati dy mundësi të mira për golin e fitores, ku veçohet ajo e Koates.

Në gjysmëfinale Juventusi do të përballet me spanjollët e Seviljes, që eliminuan Mancester Junajtid. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, anglezët humbën 3-0 në Spanjë, në një ndeshje të mbushur me gafa. Përveç të zakonshmit Meguajër, në ndeshjen e sotme një gabim të pafalshëm bëri edhe portieri De Gea, duke i dhuruar Seviljes golin e tretë.

Në gjysmëfinale ka kaluar edhe Bajer Leverkusen, që mundi 1-4 belgët e Union SG në transfertë. Ndeshja Roma-Fejnord shkoi me shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi 2-1. Spinacola kaloi Romën në avantazh, për holandezët barazoi Paiksao dhe në minutën e fundit Dibala riktheu italianët në epërsi, duke e çuar ndeshjen në shtesë, ku italianët shënuan edhe dy gola të tjerë me El Sharauin dhe Pelegrinin. Skuadra e Kumbullës fitoi 4-1 dhe në gjysmëfinale ndeshet me Bajer Leverkusen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë