Futboll

Liga e Europës/ Juventusi me fat, barazon në shtesë ndaj Seviljes. Fiton Roma

Gazeta Si – Me shumë fat Juventusi në ‘Allianz Stadium’. Në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Europës ndaj Seviljes, italianët humbisnin 0-1 deri në minutën e 97-të, kur Gati barazoi shifrat në 1-1 dhe kualifikimi ka mbetur i hapur për sfidën e kthimit në Spanjë.

Sevilja krijoi disa raste në pjesën e parë dhë në mesin e saj gjeti golin me En Nesyri, pas një kundërsulmi të shpejtë me Okampos. Më parë Vlahoviç kishte humbur një flagrant, duke gjuajtur mbi traun e portës.

Sapo nisi pjesa e dytë trajneri Alegri bëri dy ndryshime, duke hedhur në fushë Kiezën dhe Iling Junior, më pas edhe Gati, Milik dhe Pogba. Pak para fundit Juventusi kërkoi një penallti, pas një kontakti të Rabiot me një lojtar të Seviljes, por loja vazhdoi. U akorduan 6 minuta shtesë dhe në 7-ën Gati barazoi rezultatin, duke shpëtuar bardhezinjtë nga humbja.

Gati barazon rezultatin. Gazeta Si, 11 maj 2023

Roma arriti të fitojë aktin e parë ndaj Bajer Leverkusen, falë një goli të Bove në pjesën e dytë. Skuadra e Mourinjos shton kështu shanset për kalimin në finale, mjafton të mos humbasë në ndeshjen e kthimit në Gjermani.

Në Ligën e Konferencës, Fiorentina u mund 1-2 në fushën e saj nga Bazeli i Taulant Xhakës. Ish-lojtari i Kombëtares ishte titullar në këtë sfidë. Një tjetër shqiptar, Andi Zeqiri, shënoi golin e fitores për zviceranët në shtesë. Gjysmëfinalja tjetër e këtij kompeticioni, Uest Hem-AZ Alkmar, u fitua 2-1 me përmbysje nga anglezët. Kalimi në finale mbetet i hapur në të dyja këto sfida.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë