Ne rrjet

Liderët e BE-së në Bruksel për presidentin e Komisionit Europian

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur në Bruksel për një samit dy ditor ku pritet të përplasen ashpër për Presidentin e ri të Komisionit Europian.

Vitet e kaluara, Partitë Popullore Europiane ishin mjaft të fuqishme në Këshill dhe kandidatët e saj merrnin pothuajse gjithnjë mbështetje, por këtë herë përçarjet politike janë më të ashpra se kurrë. Tanimë ndikimi në Këshill është ndarë mes PPE-së, Socialistëve, Liberalëve dhe Populistëve.

Ajo që e bën matematikën të dështojë është fakti se nëse asnjë forcë e vetme politike nuk mund të dominojë, të gjitha palët mund të bllokojnë iniciativat e njëra-tjetrës.

Si PPE-ja ashtu edhe aleanca e re mes Liberalëve dhe Presidentit francez Emmanuel Macron kontrollojnë mjaft vota për të bllokuar vendimin e tij më të rëndësishëm: emërimin e presidentit të ri të Komisionit Europian.

“Nuk kam parë kurrë që familjet politike të luajnë një rol kaq të fortë brenda Këshillit”, tha Reinhard Bütikofer, bashkë-president i Partisë Europiane të të Gjelbërve. Teorikisht, edhe vendet që nuk i përkasin ndonjë prej familjeve të mëdha politike, si Britania, Greqia, Hungaria, Italia dhe Polonia, mund të përdorin veton për të bllokuar zgjedhjet e presidentit që do të pasoje Jean Claude Juncker.

Për të dërguar një nominim për miratim në Parlamentin Europian duhet një shumicë votash në Këshill, që do të thotë pëlqimin e të paktën 21 nga 28 vendet e BE-së.

brussels, brussels/belgium – 11 12 18: european commission building brussels belgium at night

Gjërat nuk janë edhe më të lehta në Parlamentin Europian. Udhëheqësit e institucionit kanë insistuar që presidenti i Komisionit të jetë një nga “kandidatët kryesorë” që doli pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe të vijë nga grupet kryesore politike. Por ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se cilët janë këta kandidatë. Lufta zhvillohet mes eurodeputetit gjerman Manfred Weber, Zëvëndëspresidentit të Komisionit Frans Timmermans dhe Komisioneres së Konkurrencës Margrethe Vestager.

Procesi i përzgjedhjes është thellësisht i paqëndrueshëm dhe mund të zvarritet gjatë verës ose më tej, edhe pse presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha se ende shpreson të arrihet një marrëveshje deri në fund të këtij muaji. Kur bie fjala për atë që Tusk dhe diplomatët e tjerë të Brukselit e quajnë Plani, zgjedhja e një presidenti nga një grup i vogël partish, situata bëhet edhe më e komplikuar.

Gjermania dhe Franca tradicionalisht kanë udhëhequr procesin e vendimmarrjes dhe mbështetja e Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit Macron konsiderohet gjerësisht si një kusht për çdo marrëveshje.

Merkel tani po shërben në mandatin e saj të fundit si kancelare e Gjermanisë, dhe ndikimi i saj deri më tani është nënvleftësuar. Ndërkohë, Macron është tërhequr nga përpjekjet e tij fillestare për të çuar përpara reformimin e BE-së, me Nathalie Loiseau, ish-ministren që kishte zgjedhur për të udhëhequr aleancën e tij të re në Parlament, pasi kjo e fundit debatoi ashpër duke zemëruar anëtarët e tjerë të grupit.

Edhe në qoftë se Gjermania dhe Franca mbeten zërat më me ndikim, duhet të merren parasysh interesat e të gjitha vendeve të BE-së, sidomos ato të Europës Juglindore. Kryeministri hungarez Viktor Orban ka shprehur kundërshtim të zjarrtë ndaj Weber. Ndërkohë, Polonia ka sinjalizuar se kurrë nuk do të pranojë përzgjedhjen e Timmermans, i cili ka udhëhequr përpjekjet e BE-së për të ndëshkuar Varshavën mbi shkeljet e sundimit të ligjit. Ndërkohë grupi i Vilshegradit, i cili përfshin gjithashtu Republikën Çeke dhe Sllovakinë, ka sinjalizuar se mund të mbështesë negociatorin e BE-së për Brexit, Michel Barnier, si një kandidat kompromisi.

Emmanuel Macron dhe Angela Merkel

Nga ana tjetër, Italia do të humbasë tre postet kryesore të BE-së që mban aktualish, atë të Përfaqësueses së Lartë, Presidentit të Parlamentit Europian dhe Presidentit të Bankës Qendrore Europiane.

Qeveria aktuale populiste në Romë duket se ka shuar shpresat që Italia të marrë “çmimin e madh”. Megjithatë, zyrtarët italianë po punojnë fort që të marrin të paktën një nga postet kryesore. Diplomatët thanë se është e paqartë se kë do të mbështesë Italia për presidencën e Komisionit Europian, por është e qartë se kush nuk mund të fitojë përkrahjen e Romës, sidomos eurodeputeti belg dhe ish-kryeministri Guy Verhofstadt, i cili synon të bëhet presidenti i Parlamentit Europian. Verhofstadt zemëroi Italinë duke e quajtur Kryeministrin Giuseppe Conte një “kukull” të zëvendëskryeministrave Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio.

Sidoqoftë, çështja e deficitit tregtar me BE-në duket të jetë prioritet më i lartë i Romës. Mediat italiane njoftuan se Conte e shfrytëzoi samitin e vendeve të Evropës Jugore në Maltë të premten për të arritur një marrëveshje me Francën: ofrimin e mbështetjes për një kandidati francez për presidentin e Bankës Qendrore Europiane në këmbim të ndihmës nga Parisi për parandalimin e procedurës së deficitit.

Mbledhja e Këshillit të BE-së po mbahet gjithashtu nën një presion të jashtëzakonshëm për të arritur një marrëveshje përpara se Parlamenti i ri të mblidhet për seancën e parë plenare në Strasburg më 2 korrik. Parlamenti është i detyruar të zgjedhë presidentin e saj dhe nëse Këshilli nuk ka çuar nominimet kryesore dhe legjislatura e BE-së do të kufizojë rreptësisht ndërhyrjen e udhëheqësve të BE-së.

Shumë zyrtarë dhe diplomatë të BE-së mendojnë se nuk ka gjasa të arrihet një marrëveshje të enjten dhe diskutimet do të duhet të vazhdojnë në samitin e G20-ës në Japoni javën e ardhshme, ku Tusk, Juncker, Merkel, Macron, May dhe Conte do të takohen me Kryeministrin holandez Mark Rutte dhe kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez.

 

Më Shumë