Kosova duket se ka kaluar sot hapin e parafundit për liberalizimin e vizave, pasi Komiteti Europian për Liritë civile (LIBE) ka votuar pro lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës. Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime, komisioni ka miratuar raportin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Prishtinën, duke nënvizuar se shqiptarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
“E di se sa e vështirë ka qenë dhe sa punë kanë bërë Kosova që të arrijë kriteret për liberalizimin. Ofrojini mbështetje të plotë raportit pasi shqiptarët e Kosovës e meritojnë të të lëvizin të lirë”, ka thënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon.
Diskutimi në Komitetin LIBE përfaqëson edhe fazën finale të përmbylljes se procesit të liberalizimit të vizave, për ta adresuar më pas çështjen në Parlamentin Europian. Sipas ekspertëve, liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të përfundojë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, në maj, pasi në të kundërtën, procesi do të zgjatej edhe më shumë.
Pas një pritjeje të gjatë, Komisioni Europian dha në korrik të këtij viti rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Skenari më pozitiv sipas analistit Taulant Kryeziu, do të ishte heqja e vizave brenda vitit 2018 dhe nisja e lëvizjes së lirë nga mesi i vitit 2019.
Përpjekjet e Kosovës për njohjen ndërkombëtare nuk kanë qenë të lehta. Përveç Serbise, Rusisë dhe Kinës, pesë shtete të Bashkimit të Europian, Spanja, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia vazhdojnë të mos njohin Kosovën dhe derisa kjo të ndryshojë, Prishtina nuk mund të aplikojë për anëtarësim në BE. Kjo është edhe arsyeja pse Kosova nuk është në gjendje të përfitojë nga subvencionet ekonomike që parashikon procesi i integrimit në BE.
Sot shqiptarët e Kosovës mbajnë pasaportën më të pavlefshme në të gjithë Europën. Atyre u lejohet të udhëtojnë vetëm në 12 vende pa vizë, si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Dominika, Ekuadori, Gambia, Haiti, Mikronezi, Niue dhe Shën Vincenti dhe Grenadinet. Megjithatë, destinacioni kryesor i shqiptarëve të Kosovës është Bashkimi Europian, për shkak të diasporës që jeton brenda BE-së, e cila u vendos atje gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Shumë qytetarë dhe ekspertë nga Kosova shprehen se BE-ja ka imponuar një regjim të rreptë dhe të padrejtë ndaj tyre. Deri më sot, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarëve të të cilit u kërkohen viza për të udhëtuar brenda BE-së, duke e bërë kështu Kosovën vendin më të izoluar në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.