Muzike

Leyla, balada e vajzave nëna

Atëkohë nuk e kuptoja sesi një vajzë, që duhet të ishte në klasë të tetë, mund të bëhej nënë. Do e linte bosh anën e saj të bangës e në vend të çantës me libra, do të mbante në krahë një foshnjë…Ishin vitet ’90 dhe nuk ishin të rralla vajzat, veçanërisht jashtë kryeqytetit që martoheshin dhe bëheshin nëna, ende pa i mbushur të tetëmbëdhjetat. Në 2018-ën, fenomenin e sjell sërish në fokus, jo një sociolog, por një kompozitor. I la shoqet për të kënduar ninulla e për t’u rritur bashkë me foshnjën, është mesazhi i këngës “Leyla”, pjesëmarrëse në edicionin e 57-të, të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, që e çeli siparin mbrëmjen e 20 nëntorit, në skenën e Pallatit të Kongreseve. Me poezi dhe muzikë të Adrian Hilës, balada e kënduar nga Marko Strazimiri dhe Imbro, rrëfen historinë e një vajze, e cila në moshën 14 vjeçare bëhet nënë. Ka zgjedhur një eveniment si festivali i këngës kompozitori Hila për të adresuar një fenomen global, ku sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, janë dy milionë vajza nën moshën 15 vjeçare që çdo vit sjellin në jetë fëmijë, të njohura ndryshe edhe si fëmijët që sjellin në jetë fëmijë. Ka zgjedhur vokalin e një 16 vjeçari, Marko Strazimirit, të cilin e njeh që nga koha kur i riu këndonte në spektaklin e talenteve të rinj, “Gjeniu i vogël”, duke e kombinuar me timbrin e veçantë të këngëtarit 23 vjeçar, Imbros, që i fal notave të qeta të baladës, motive etnike. “Ideja ishte e kompozitorit i cili mendoi se dy zërat tanë do të shkonin mirë bashkë”, do të thoshte Marko Strazimiri, duke shpjeguar edhe idenë e kompozitorit mbi mesazhin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=9yeOT1FO_cM

“Fabula e këngës është marrë nga një fenomen, i cili ka ndodhur dhe vijon të ndodhë. Prek jo vetëm moshën time, por edhe familjet e vajzave që mbesin shtatzëna në moshë të vogël”, ka thënë këngëtari, i cili vetëm pak ditë më parë ishte konkurrues në një tjetër festival, atë të “Kënga Magjike”, ku u paraqit me një baladë dashurie titulluar “403”. Ndërsa kënga në festivalin e dhjetorit, që i sheh dy këngëtarët në të vetmin duet mes konkurruesve, sjell për herë të parë në një këngë shqip kalimin e menjëhershëm –e jo pak traumatik –nga fëmijëria drejt amësisë. Ndryshimet e menjëhershme, shpesh edhe të padëshiruara, ndryshojnë jo vetëm jetët e vajzave shtatzëna, por edhe të familjeve të tyre. Me pasoja ndonjëherë edhe tragjike, për shoqëri patriarkale si e jona.


Leyla do ta veshë si kukull
Do mbajë taka për t’u dukur
Katërmbëdhjetë ajo pa faj
Ajo do ta mbajë


Ato vajza adoleshente, mes 15 deri 19 vjeç, jo aq të bindura sa Leyla e këngës për ta çuar deri në fund shtatzëninë, u nënshtrohen shpesh aborteve të pasigurta. Në botë janë tre milionë të tilla. Ndërsa në Shqipëri, një në njëzet aborte, kryhet tek një vajzë adoleshente, që jo gjithnjë, janë nga zonat rurale, por jetojnë zonat urbane, si Tirana.


I la shoqet Leyla
Për ninulla Leyla
Do të rritet Leyla
Bashkë me foshnjën Leyla


Pak më në juglindje të vendit, në Korçë, brenda dhjetë muajve, pak më shumë sesa koha që duhet për të sjellë në jetë një fëmijë, ishin trembëdhjetë vajza që lanë përgjithnjë lojërat për t’u bërë nëna, përpara se të mbushnin 18 vjeç. Edhe për braktisjen e foshnjave të porsalindura nga nënat, mjekët shohin si një prej shkaqeve kryesore, bashkë me kushtet e këqija ekonomike, lindjet në moshë të hershme. Për vitin e kaluar, vetëm në një prej materniteteve të Tiranës, ishin njëzet foshnja të braktisura.


Zemra rreh për zemrën Leyla
Ëndërr dashurie Leyla
Nina nana Leyla
Kënga jote Leyla


Për këtë tranzicion që shënjon jetën e një fëmije që shndërrohet menjëherë grua, duke mos i kaluar të gjitha etapat, melodia e këngës vjen si përkundje, për të gjitha ato Leyla, që ndoshta nga mungesa e edukimit, nga pakujdesia për të përdorur masa kontracepsioni, ngaqë familjet i kanë martuar herët janë bërë nëna në moshë të vogël. Studimet ndërkombëtare tregojnë se ato gra që bëheshin nëna në moshë adoleshence rrezikonin sëmundje kardiovaskulare në faza më të mëvonshme të jetës, si edhe kishin prirjen të kalonin menopauzë të hershme. Por shumë prej këtyre vajzave, në të gjithë botën humbasin jetën nga komplikacionet e lindjes.
Kompoziotori Adrian Hila ka dashur të bëjë një këngë për të gjitha ato, duke zgjedhur një emër që, i kalon kufijtë, jo domosdoshmërisht shqiptar, edhe pse në pamje të parë mund të të sjellw ndërmend baladën blues & rock të kantautorit dhe kitaristit të famshëm britanik, Eric Clapton.
Por asgjë e ngjashme, veç titullit. Tingujt janë një shkrirje e muzikës së lehtë dhe shpirtit ballkanik, që vijnë prej këngëtarit Imbro Manaj.


Pa petale nëpër flokë
Fjalë që hidhen e shkel në tokë
Si një pemë gjethen do mbajë
Leyla s’ka më kohë të qajë …


Të dy djemtë, veçse vokalistë, janë edhe instrumentistë. Markoja e ka nisur rrugëtimin me pianon që në moshën 6 vjeçare, Imbro, i lindur në familje muzikantësh, merret me muzikë nga mosha 10 vjeçare dhe më herët ka bashkëpunuar me këngëtaren e njohur Eli Fara, në këngën “Duamë”. Edhe këngëtarja Eli Fara, e cila e ka sjellë në jetë të bijën në moshën 18 vjeçare, në një intervistë televizive ka përcjellë mesazh për të gjitha vajzat, se nuk është mirë të bëhesh nënë në moshë të re.

Marko Strazimiri dhe Imbro Manaj

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekspertët e shëndetit e kanë cilësuar shtatzëninë tek adoleshentët, epidemi. Realiteti i këtyre nënave nuk u ngjan fantazive. Vetëm lajmi i shtatzënisë i bën të lëkunden mes stuhive emocionale. Sipas Akademisë Amerikanë të Fëmijës dhe Psikiatrisë së Adoleshendtëve, adoleshentet që mësojnë se do të bëhen nëna i përshkojnë ndjenja inati, faji e deri edhe refuzimi. Një studim tregon se nënat adoleshente përballen me nivele të larta të stresit që mund t’i çojë edhe në shqetësim të shëndetit mendor. Bashkë me depresionin postpartum, nënat adoleshente kanë norma më të larta të depresionit. Por nuk do të thotë se amësia në adoleshencë nuk do të thotë se gratë e reja nuk do të kenë sukses në jetë. Por është e rëndësishme që nënat e reja të marrin në konsideratë atë me të cilën përballen nënat në stabilitetin shëndetësor, financiar dhe shëndetin e fëmijës. Edhe pse nga vitet ’90 deri vitet e fundit, numri i lindjeve mes nënave adoleshente ka rënë, sërish është fenomen shqetësues, duke kapur afërsisht shifrën e 47 lindjeve në njëmijë gra. Megjithatë Organizata Botërore ka parashikuar se deri më 2030-ën shtatzënitë tek adoleshentet do të rriten, në rang global, me përmasa drastike në vendet e pazhvilluara. S.Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë