Libra

Lexime vere…është koha e fëmijëve

Ndoshta me diellin, detin dhe lojërat që i ftojnë, mund të jetë e vështirë ta ulësh një fëmijë të lexojë, pasi ka mbyllur vitin shkollor e është nisur me pushime. Por përtej librave të gjuhës, leximit apo matematikës janë ata që të përpijnë në botën e imagjinatës, me rrëfenja e heronj, me aventura e mistere. Për ata që nuk janë nisur ende me pushime apo edhe për ata që  janë rehatuar nëpër shezlongë duke shijuar bregdetin dhe kanë pranë ndonjë librari shëtitëse apo kioskë librash, gazeta “Si” sjell një tablo të ofertave më të reja të letërsisë për fëmijë nga shtëpitë botuese shqiptare. Libra të shqipëruar, por edhe autorë shqiptarë që premtojnë t’i mbajnë të vegjlit me kureshtje deri në faqen e fundit.

Aventura çapkënësh

Për ata më çapkënët, që pëlqejnë të  përfshihen në aventura për t’ua rrëfyer më pas shokëve,  shtëpia botuese “Botart” sjell vëllimin e dytë të Aventurave të Maks Çapkëni, i cili kësaj here – pasi në vëllimin e parë u kyç në dollap nga Dagu,  i forti i shkollës  “South Ridge” – ka ngecur mbi picën gjigante, pasi ishte rrëzuar orët e vona nga tubat e shkollës "South Ridge", i rrethuar nga tre kriminelë të pamëshirshëm. “Kaos në shkollën nëntëvjeçare” e ka titulluar këtë vëllim të dytë autorja Rachel Renee Russell, ndërsa lexuesit e vegjël do të përballen me pyetjet nëse do të dëmtohet Maksi ashtu si djathi mocarela mbi picën e fortë? A do ta hanë hajdutët e uritur picën me Maksin e ulur në të? A do të arrijë vallë shoqja e tij, Erina, gjeniu i informatikës, ta ndihmojë të dalë i gjallë nga kjo situatë? Ah, të ishte si heroi në librat e tij humoristikë –mendon Maksi, ndërsa e gjen veten protagonist të kësaj historie të çuditshme.

Aventurat e Maks Çapkënit,vëllimi i dytë
Çmimi: 800 lekë

Një libër që përveçse mban mbërthyer në aventurat e djaloshit Maks, i mëson të vegjlit të përballen me frikërat e tyre dhe veçanërisht me bullizmin në shkolla, siç është rasti i Dagut. Këta libra janë të përshtatshëm për grupmoshën shtatë deri në katërmbëdhjetë vjeç. Aventura propozon edhe shkrimtarja Pamela Butchart, që në  shqip vjen me dy romane për fëmijë, botuar nga “Bota Shqiptare” .

Aventurat e vogëlushes Izi në “Spiunia që pëlqente drekat e shkollës” dhe “Drejtori i shkollës sime është një mi vampir”. Në librin e parë,  Izi është vërtet e kënaqur që e kanë caktuar kujdestare të vajzës së sapoardhur në shkollë. Matilda është franceze dhe Izi me shoqet e saj mezi presin t’i tregojnë depon e tyre dhe fluturën e natës atje e ta ndihmojnë që të shmangë drekat e shkollës. Por, Matildës i pëlqejnë drekat e shkollës, madje ha dy të tilla!Dhe pikërisht në atë çast, ato e kuptojnë;  Matilda është spiune dhe ka ardhur t’u  zbulojë sekretet. Ato duhet ta ndalojnë para se të jetë shumë vonë...

Në librin e dytë, Izi dhe shoqet e saj llahtarisen kur takojnë drejtorin e ri të shkollës. Ai ka flokë të zinj, mban pelerine dhe ka buzë të çuditshme që u ngjajnë krimbave. Madje, një herë, ato e dëgjojnë që fishkëllen në zyrë, kurse drita e diellit e bën të skuqet si spec. Është dita e kuzhinës italiane kur ato kuptojnë që drejtori i tyre i ri është vampir, ngaqë ai ka ndaluar bukën me hudhra. Ai dhe ushtria e tij e minjve – vampirë po bëhet gati të pushtojnë shkollën. Obobo!

Histori përpara gjumit për vajza rebele/
Çmimi: 2000 Lekë

Histori frymëzuese

“Histori përpara gjumit për vajza rebele”,  botuar nga “Pema”  risjell përrallat duke i frymëzuar fëmijët me historitë e njëqind grave heroike,  nga Elizabeta I deri te Serena Williams dhe vjen i ilustruar nga 60 artistë ndërkombëtarë.  Sipas Taylor Pittman,  kritikes letrare  nga ‘The Huffington Post’,  këto histori përpara gjumit i zëvendësojnë princeshat me gra që kanë ndryshuar botën. Ndërsa një tjetër kritike, Geri Stengel nga revista prestigjioze “Forbes” e ka cilësuar librin e autoreve Elena Favilli dhe Francesca Cavallo si një libër i domosdoshëm që çdo vajzë apo grua e re duhet ta mbajë në komodinë pranë shtratit. Histori feministe përpara gjumit për t’u frymëzuar për ëndrra të mëdha.

Rrëfenja dhe përralla shqiptare

Nga letërsia shqipe për fëmijë, autorët   Bardhyl Xhama dhe Betim Muço sjellin rrëfenja dhe përralla të lashta shqiptare. “Mikeshat e Pëllumbit” titullohet libri me  rrëfenja  i shkrimtarit Bardhyl Xhama, botuar nga shtëpia botuese “Toena” . I cilësuar si mjeshtër i rrëfenjave dhe pasardhës i Kutelit, Xhama sjell për lexuesit e vegjël 101 të tilla, të ndërtuara mbi bazën e fjalëve te urta dhe  thënieve të mençura të njerëzve të mëdhenj.

Çdo rrëfenjë përcjell mesazhe universale e të qarta mbitë mirën dhe të keqen, për virtytin dhe vesin, për mirënjohjen e sinqeritetin e shumë të tjera. Në shenjë janë gabimet njerëzore, për të cilat, mençuria popullore, që në hershmërinë e saj, ka ngritur kode të vlerave shpirtërore, morale, shoqërore dhe estetike. Ai i drejtohet psikologjisë së tyre. Duke i lexuar këto rrëfenja, të bëhet sikur të ndjekin dy sy të dashur që të qortojnë, këshillojnë, por butë dhe me dashuri.

Autori Betim Muço e ka titulluar  “Mësimet e Natës” ciklin me përralla, botuar  nga "Botimet  POETEKA” . Edhe ky libër  sjell 101 përralla, të cilat autori ua ka kushtuar fëmijëve të tij ndër vite. Libri është konceptuar me tri pjesë të veçanta, brenda një tërësie rrëfimtare, që i lidh elementi autor dhe elementi përrallë, por që dallohen për nga tematika dhe sidomos për nga stili i rrëfimit, i ndryshëm për secilin nga librat. Libra brenda librit, me dedikime të veçanta. I pari i kushtohet Sagitës dhe titullohet “Është ç’na është”, i dyti me  titullin “Bota në sytë e Dolës” i kushtohet Fedorës, ndërsa i treti, “Penda e Pulëbardhës” autori ia ka kushtuar Zinartit.

Mësimet e natës – 101 përralla/
Çmimi: 2000 lekë

Që në parathënie bëhet e qartë se ka ndryshuar jo vetëm regjistri i komunikimit me “një fëmijë”, por edhe koha. Jemi në një tjetër situatë shoqërore. Alegoritë sociale të qëmtuara në “Librin e Dolës”, botuar së pari në vitin 1986, vijojnë dhe thellohen me librin kushtuar Zinartit, botuar 10 vjet më vonë. Vlerë që i shtohet dhe e pasuron shumë librin janë ilustrimet, plot finesë dhe ngjyra të këndshme për syrin, krijuar enkas për këtë botim nga Bora Baboçi.  Jo thjesht përralla për fëmijë. Fundja një rrëfim të cilit i gëzohen vetëm fëmijët nuk është një histori fort e mirë, shprehet shkrimtari Clive Staples Lewis...Prindërit janë gjithaq të ftuar brenda librit.

Përrallat nuk do të ishin të plota pa klasikët. Botimet Çabej sjellin vëllimin e katërt të “  Njëmijë e një net”, nën shqipërimin e Mustafa Greblleshit, botim i  2018 -ës.Në 214 faqe vijnë historitë e  Zein Alasnamit dhe e mbretit të xhindeve, ajo e Kodadadit dhe e vëllezërve të tij,  historia e princeshës së Deriabarit, aventurat e kalifit Harun – Al – Rashid, historia  e të verbrit Baba Abdulla, e Sidi Numanit, Ago HasanAlhabalit, Marzavanit,  e princave Amxhiad e Asad si edhe historia e dashurisë së Kamaralzamanit, princit të Ishullit të Bijve të Kaledanit, dhe Badurës, princeshës së Kinës,

Heronjtë mitologjikë në dy libra

Nga bëmat magjike të Orientit tek heronjtë mitologjikë të antikitetit europian. Shkrimtari Arian Leka sjell nën logon e  “Botimet POETEKA” dy vëllimet e Legjendave më të bukura.Vëllimi i parë sjell disa nga rrëfenjat më të bukura, të cilat na kanë mahnitur, na kanë shtangur, tmerruar dhe zbavitur prej shekujsh, por që na kanë mësuar gjithashtu një nga format mahnitëse të rrëfimit të historisë sonë, mënyrës sesi menduan, përpjekjet e njerëzve për të shpjeguar botën, përjetimet tona, gjurmët që nuk u shlyen dot nga koha, ndryshimet në shoqëri dhe në natyrë.

Në vend të perëndive të pavdekshme dhe heronjve dashamirës, ndeshim një baba si Kronosi, që gëlltit bijtë. Më tej, teksa ndjekim rrjedhën e rrëfimeve, ndeshim një mbret si Minosi, me prindër-perëndi, që urdhëron ndërtimin e labirintit, ku burgos edhe arkitektin që e projektoi atë, dhe që për t’u arratisur iu desh të ndërmerrte rrugën më të pamundur.

Prej këtej vrasjet zbresin edhe mes njerëzve të zakonshëm, por të veshur me pushtet. Një grua, mbretëreshë,si Klitemnestra, që synon të vrasë bashkëshortin. Djali i saj, Oresti, përbetohet të vrasë nënën që u vrau babanë. Lexojmë edhe sesi një bijë, një princeshë si Medea, tradhton të atin dhe vendin e saj, ndihmon kundërshtarin për shkak të dashurisë.

Në vëllimin e dytë të legjendave flitet për heronjtë mitologjikë, të cilëve s'u mbeti gjurmë tjetër veç bëmave dhe emrit, lavdisë dhe veprave të mira që ata vinin mbi gjithçka. Ata ishin të gjithë bij perëndish, u ngjanin perëndive në shpirt, në shtat e në pamje. Pas miteve rreth perëndive të Olimpit, historia ndjek jetën e Prometeut, që u vetësakrifikua për t’i dhënë fund diktatit të kryezotit. I njëjti zot-ndëshkues, dënon një titan të fuqishëm dhe të ditur, Atlasin, që njihte lundrimin dhe astronominë. Për shkak të kryengritjes dhe mosbindjes, ai u dënua të mbante përjetësisht mbi supet e tij sferën qiellore.

Një tjetër personazh mitik, mbret në Korintin e një herë e një kohe, i pandehur për mashtrim, u dënua të shtynte pafundësisht një gur deri në majën e malit të pjerrët. Prej aty guri rrokullisej poshtë sërish, duke ia bërë mbretit Sizif të pafrytshme përpjekjet dhe të pafundmë mundimin.Por thuhej, gjithashtu, edhe se ky mbret ra viktimë e zilisë, pasi zgjuarsia e tij filloi t’ia kalonte zgjuarsisë së kryezotit dhe kjo, me sa duket, ka qenë dhe mbetet diçka që të rrezikon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë